Gol për të rikthyer në shinat e duhura skuadrën në gjysmëfinale e më pas kualifikim në Kupën e Kroacisë. Enis Çokaj, me një gjuajtje fluturimthi, riktheu baraspeshën për skuadrën e tij.

Në një intervistë për “Panorama Sport”, mesfushori 21-vjeçar tregon ndeshjen speciale, ndjesinë pas golit, festën për ditëlindjen e Uzunit dhe për më tepër, këshillat e këtij të fundit që i dhanë edhe mundësinë të realizojë një gol.

Ky ishte goli i tij i dytë në Kupën e Kroacisë ndërsa në kampionat ka realizuar një të tillë. Mesfushori i Kombëtares U21 ka si synim madhor që të bindë trajnerin Edi Reja për t’i besuar një ftesë në Kombëtaren A.

Çokaj, gol që në ndeshjen e rikthimit pas pushimit të gjatë. Çfarë ndjesie është të riktheni ekipin drejt kualifikimit në finale?

Kjo ishte një ndër ndeshjet më të rëndësishme të karrierës sime, pasi luajta në gjysmëfinalen e Kupës së Kroacisë. Për më tepër, të shënoja një gol në këtë takim ishte ndjesia më e veçantë që kisha ndier ndonjëherë.

Realizuat një eurogol. Çfarë menduat në ato pak sekonda meqë goditët menjëherë drejt portës?

Para se të shënoja atë gol, Uzuni më tha disa herë që të afrohesha më shumë në zonë pranë tij. Më thoshte që ta ndiqja shpesh në sulm, sepse mbrojtësit e markonin ngushtë atë dhe në këtë mënyrë, krijoheshin hapësira në zonë.

Tek aksioni i golit, atë bëra. Mundohesha që herë pas here të shkoja sa më shumë drejt sulmit, sepse po e vija re edhe unë që mbeteshin vërtet hapësira, siç më thoshte Uzuni. Po shtyja drejt sulmit, edhe sepse na duhej patjetër një gol, të paktën për të barazuar ndeshjen. Sa i përket goli, edhe asisti ishte fantastik…

Kujt ia dedikoni këtë gol?

Motrës sime. Pra, dua t’ia dedikoj asaj, por edhe mbesës sime e cila shumë shpejt do të vijë në këtë jetë nga motra.

A hasët vështirësi në këtë ndeshje të parë pas pushimit të gjatë?

Para ndeshjes e mendova vërtet se mund të kisha probleme apo vështirësi. Mirëpo, të them të drejtën, nuk më ndodhi një gjë e tillë. Vetëm në pak minuta nga fundi i ndeshjes fillova të ndihem pak i lodhur.

Çfarë synimesh keni për pjesën e mbetur të sezonit?

Synoj të sigurojmë sa më shpejt Kupat e Europës për sezonin e ardhshëm. Jo vetëm kaq, por edhe vendin e dytë në kampionat, pasi jemi vetëm një pikë larg dhe ai është vendi që na çon në turet kualifikuese të Champions-it.

Jeni mesfushor, por a keni pikësynim një shifër golash për të shënuar?

Jo, nuk kam menduar ndonjë shifër. Unë personalisht dua që ta ndihmoj sa më shumë ekipin që të arrijmë sa më shumë fitore dhe të realizojmë objektivat. Pastaj për gola ne kemi Uzunin (qesh…).

Çfarë dhurate i përgatiti banda Uzunit për ditëlindjen?

Kishim një festë me bandën dhe zgjodhëm që t’ia japim atje edhe dhuratën apo surprizën. Ishte një tortë e madhe me flamurin shqiptar, sepse e dimë se ai është i dashuruar me Shqipërinë.

Çfarë dëshirash dhe planesh keni me Kombëtaren?

Dëshira dhe ëndrra ime ka qenë dhe është që të jem pjesë e Kombëtares shqiptare. Po punoj shumë për të marrë një ftesë prej saj.