Shkruar nga Maringlen ZHIVANI
Transferimi i portierit gjerman Leon Pöhls te Sherif Tiraspol nuk do të finalizohet. Burime pranë çështjes bëjnë me dije për “Shkodra Sport” se gardiani, i cili ishte shumë pranë firmës me 21-herë kampionët e Moldavisë, ka hasur pengesa gjatë procesit të vizitave mjekësore, duke bërë që marrëveshja të mos marrë dritën jeshile dhe të dështojë për kalimin te klubi i ri.
Pöhls kishte udhëtuar drejt Moldavisë me synimin për të kompletuar transferimin, por zhvillimet e fundit gjatë procesit të vizitave mjekësore ndryshuan rrjedhën e negociatave dhe palët nuk arritën të finalizonin marrëveshjen. Deri në këto momente nuk ka një reagim zyrtar nga Sherif Tiraspol apo vetë futbollisti mbi arsyet e mosrealizimit të transferimit.
Sipas burimeve të “Shkodra Sport”, portieri është rikthyer tashmë në Shkodër dhe synon të ulet në bisedime me drejtuesit e Vllaznisë për të diskutuar mbi të ardhmen e tij. Megjithatë, nga sa mësohet, klubi kuqeblu nuk duket se e ka më në planet e tij për sezonin e ri, çka e bën edhe më të paqartë vazhdimësinë e bashkëpunimit mes palëve.
Në ditët në vijim priten zhvillime të reja, pasi mbetet për t’u parë nëse Vllaznia dhe Pöhls do të gjejnë një zgjidhje të përbashkët apo nëse portieri gjerman do të vijojë të kërkojë një destinacion të ri për karrierën e tij.
Burimi: Gazeta “SHKODRA SPORT”


