Shkruar nga Gjergj KOLA
Kampionet e Shqipërisë, futbollistet e Vllaznisë së Shkodrës kanë mbërritur pasditen e djeshme në Qipro, aty ku do t’i luajnë ndeshjet e grupit 6 të turit të dytë të kompeticionit të rëndësishëm europian “UEFA Champions League”.
Ndërkohë sot ekipi i drejtuar nga trajneri Nikolin Leka ka zbritur në fushën e stërvitje duke zhvilluar një seancë të lehtë stërvitore e cila më tepër ka qenë relaksuese ndërsa e gjithë vëmendja tashmë është e përqendruar tek sfida e nesërme.
Bëhet fjalë për gjysmëfinalen e këtij grupi ku përballë do të jetë ekipi kampion i Sllovakisë Spartak Myjava, me ndeshjen që do të luhet në stadiumin “Stelios Kyriakides” të Panhos në Qipro mbrëmjen e datës 5 gusht në orën 20:30.
Kuptohet që synimi i kampioneve tona është fitorja dhe kualifikimi në finalen e grupit e cila do të luhet më 8 gusht po në Qipro dhe përballë do të kishte fituesen e çitit Apollon Ladies- Czarni. Gjithsesi tek Vllaznia nuk e kanë mendjen fare tek kundërshtari i së shtunës sepse detyra parësore për ta është fitorja e nesërme ndaj sllovakeve të Spartak Myjava dhe besimi është i plotë se do ia dalin.
Burimi: Gazeta “SHKODRA SPORT”


