Mateo Qarri mezi pret të zbresë në fushën e lojës. I ka munguar futbolli, ndonëse e pranon që këto 10 javë do të jenë një “luftë” për Flamurtarin. Mbrojtësi 22-vjeçar ndihet aq i lidhur me ngjyrat kuqezi, aq sa shfaq besnikëri edhe në rast rënieje.

Në një intervistë të dhënë për “Panorama Sport”, futbollisti i dalë nga akademia vlonjate flet për gjithçka, nga ditët e vështira pa futboll e deri tek e ardhmja.

Mateo, si kanë qenë këta muaj pa futboll dhe stërvitje në grup?

Këta dy muaj kanë qenë shumë të vështirë për çdo lojtar pasi nuk jemi stërvitur me grupin. Çdonjëri nga ne ka punuar individualisht, por nuk ka të njëjtën ngarkesë si të punosh në grup. Futbollistët nuk janë mësuar me kaq shumë pushime dhe ishte vërtet e vështirë të jetoje dy muaj pa futboll.

Si po i kaloni këto ditë të stërvitjes dhe si paraqitet gjendja e lojtarëve?

Ditët e para ishin pak të vështira sa të hynim në ritmin tonë. Tani po shkon gjithçka shumë mirë. Kemi marrë ngarkesat e plota në çdo seancë stërvitore. Gjendja e lojtarëve është shumë e mirë, por kemi akoma kohë për të arritur në formën e duhur fizike.

Mendoni se kampionati duhet të mbyllej nga situata dhe të jepeshin verdiktet apo të rifillonte siç do të ndodhë?

Të jem i sinqertë, nuk mendoj se duhet të mbyllej kampionati. Them kështu sepse ka akoma ndeshje për t’u luajtur. Por, nga ana tjetër, edhe rreziku qëndron nga situata që ndodhi. Duhet pasur shumë kujdes, sidomos tani që nisi normaliteti dhe do të rifillojë kampionati. Na mbetet si detyrë që të respektojmë me përpikëri dhe rigorozitet çdo rregull dhe protokoll që do të kemi.

Sa i ka shanset Flamurtari në këto ndeshje të mbetura për të qëndruar në Superligë?

Të jemi të sinqertë, shanset janë të pakta, por do ta respektojmë garën deri në fund. Premtojmë se do të angazhohemi që të bëjmë ndeshje dinjitoze. Ndryshimi i skemës do të ishte shpëtim.

Mendoni se duhet të ndodhë kjo?

Do të ishte shumë mirë nëse skema ndryshohej. Kjo gjë do t’i shërbente çdo ekipi dhe do të kishte më shumë rivalitet.

Duket se e keni zënë një vend si titullar. Ç’do të thotë kjo për ju?

Të luash titullar për Flamurtarin nuk është diçka e vogël. Kam punuar fort nga momenti i parë që kam ardhur në ekip. Mendoj se erdhi koha që unë të tregoj aftësitë e mia. Duhet të falënderoj drejtuesit edhe trajnerin që besuan tek unë dhe u premtoj se nuk do t’i zhgënjej, duke dhënë maksimumin tim në çdo ndeshje.

Sa do të jetë gati Flamurtari për ndeshjen e parë me Vllazninë që luhet në Vlorë?

Kemi edhe pak ditë kohë për t’u stërvitur dhe për të qenë në 100% tonë. I gjithë grupi mezi pret të kthehemi në fushë dhe të luajmë përsëri. Ndeshjet e fundit kemi bërë paraqitje të mira dhe shpresoj që edhe kundër Vllaznisë të luajmë aty ku e lamë dhe të marrim tri pikët.