Me dy gola të shënuar në ndeshjen kundër Frosinones, Arkadiusz Milik ka përmirësuar mesataren e tij të golave për minutë në këtë sezon. Nga Cristiano Ronaldo tek Mauro Icardi, nga Piatek te Dries Mertens, asnjë nga bomberët e mëdhenj nuk ka arritur të bëjë më mirë se sulmuesi polak i Napolit, për nga numri i golave të realizuar në raport me minutat e luajtura në Serie A.

Në fakt, numrat e sulmuesit 24-vjeçar flasin qartë: 7 gola në 728 minuta të luajtura, të ndara në 13 ndeshje, që do të thotë 1 gol çdo 104 minuta. Deri tani, asnjë nga sulmuesit më të mirë të Serie A nuk ka arritur të bëjë më mirë se ai (me përjashtim të Alessandro Matrit te Sassuolo, që ka arritur të shënojë 1 gol, por ka luajtur vetëm 85 minuta) në raport me minutat e luajtura.

Madje as pesë herë fituesi i “Topit të Artë”, Cristiano Ronaldo, nuk ka arritur të bëjë më mirë se ai, edhe pse ka shënuar 10 gola në 15 ndeshje, por duke pasur dyfishin e minutave të luajtura në krahasim me polakun e Napolit (1.340’), me një mesatare prej 1 goli çdo 134 minuta. Nuk ia ka dalë as Mauro Icardi, i cili, me 9 gola të shënuar në 949 minuta, ka një mesatare prej 1 goli çdo 119 minuta.