Xherdan Shaqiri i ka dhënë fitoren Liverpool-it me dygolëshin e tij në fund të takimit. Të Kuqtë kanë mposhtur Manchester United 3-1 falë dy golave të zëvendësuesit Shaqiri, i cili shënoi dopietën më të rëndësishme të karrierës brenda 10’ minutave. Me këtë fitore Liverpool merr përsëri kryesimin e Premier League. Xherdan Shqiri është bërë lojtari i parë që shënon dy gola në ndeshjen e tij të parë në Premier League kundër Manchester United si futbollist i Liverpool pasi një gjë të tillë e ka bërë Nigel Clough në janarin e 1994-ës.

Liverpool kontrollon lojën që nga sekonda e parë, por është United që rrezikon duke gjetur golin e avantazhit që më pas anulohet nga anësori për pozicion jashtë loje. Pas disa aksioneve të rrezikshme, Sadio Mane zhbllokon rezultatin në minutën e 24’ me një gol fantastik. Fabinho jep një top të bukur brenda zonës për afrikanin i cili e stopon me shumë klas dhe e dërgon në rrjetë. I pakapshëm për portierin De Gea. Gjithsesi, United gjen forcat të reagojë dhe shënon golin e barazimit në minutën e 33’. Goli erdhi për shkak të një gabimi fatal të portierit brazilian Alisson, i cili nuk arrin të kapë topin që shkon në këmbët e Lingard i cili nuk e ka të vështirë ta shtyjë në rrjetë.

Pas pushimit Liverpool vazhdon të insistojë për të gjetur golin e avantazhit, por United qëndron i fortë në prapavijë. Ishte zëvendësimi gjenial i Klopp që ktheu ndeshjen. Ai fut në fushë Xherdan Shaqirin i cili vetëm tre minuta më pas gjen golin e avantazhit. Dhe në minutën e 81’ erdhi goli i nokautit, përsëri nga Shaqiri! Zvicerani me origjinë shqiptare ka goditur në hyrje të zonës një top që devijohet nga Bailly dhe përfundon në rrjetë. Vendasit ruajnë pa shumë probleme avantazhin dhe kanë marrë një fitore tepër të rëndësishme për titullin kampion./telesport/