Edhe sot e kësaj dite, Toni Kroos mund të llogarisë në njërën anë Botërorët për Klube, që bien në sy në rekordin e tij të jashtëzakonshëm. Kampion i gjithçkaje që ka luajtur me klubet e tij, përveç Kupës së Mbretit, mes 27 titujve që ka fituar.

Gjermani ka fituar pesë Botërorë për Klube, katër prej të cilëve me Real Madridin dhe një me Bayern Munich. Nuk ka një lojtar në planet që mund të mburret me këtë “markë”.

Të shtunën, kundër Al-Hilal, numri 8 i Real Madridit do të dirigjojë skuadrën e Ancelottit, me qëllim që të fitojë titullin e radhës.

Kur mbërriti në Madrid, në verën e vitit 2014, Kroos ishte tashmë një kampion bote në të dyja versionet e mundshme. Ai zbarkoi në Spanjë me Kupën e Botës nën krah, atë të fituar në “Maracana” kundër Argjentinës, me golin e Mario Götze.

Më parë, në janar të po atij viti, ai kishte fituar titullin e Bundesligës me numrin 39 mbi fanellën e tij të Bayernit. Ky ishte titulli i parë i Bayernit në epokën e Guardiolës, sepse finalja e Superkupës ishte humbur ndaj Borussia Dortmund.

Marrëdhënia mes Toni dhe Guardiola ishte dhe është e jashtëzakonshme, ndaj trajneri aktual i Manchester Cityt u përpoq ta pengonte të largohej drejt Madridit, por ishte diçka që Kroos e kishte shumë të qartë për shkak të dëshirës sportive dhe marrëdhënieve të tensionuara me zyrat bavareze.

Gjëja e parë që Kroos fitoi me Real Madridin ishte Superkupa e Evropës; e dyta Botërori për Klube. Gjermani e përsëriti titullin një vit më vonë, këtë herë i veshur me të bardha, në të njëjtin stadium dhe me rival San Lorenzo de Almagro: 2-0, me golat e Ramos dhe Bale.

Kompeticioni i Botërorit për Klube sot numërohet pesë herë në “palmaresin” e Kroos, gjithmonë në formacionin titullar të të bardhëve.

Botërori për Klube, i fituar me Bayernin e bën Kroos unik dhe i jep një avantazh ndaj katër shokëve të tij të skuadrës që e kanë shoqëruar gjatë gjithë karrierës me Real Madridin dhe që do të kërkojnë kurorën e tyre të pestë botërore në Rabat: Carvajal, Modric, Nacho dhe Benzema, Sergio Ramos, Cristiano Ronaldo (një me Manchester United dhe tre me Real Madrid). Bale, Isco, Varane dhe Marcelo zbritën nga “anija” e katër fitoreve të Botërorit për Klube.

Me të ardhmen e tij pezull, Toni Kroos kërkon në kryeqytetin e Marokut që të hedhë një hap tjetër në një garë që nuk ka nevojë për këtë titull për të qenë legjendar. Gjermani nga Greifswald di pak për këtë, sepse fitorja është gjëja e tij e preferuar.

Ancelotti nuk e imagjinon se Toni Kroos mund të ndalojë së luajturi futboll në vetëm tre muaj. Trajneri i Real Madridit e sheh gjermanin më mirë këtë sezon se në të kaluarin. Nëse do të ishte në dorën e tij, përgjigja e “8” do të ishte vazhdimi i mësimeve nga mesfusha.

Nga mënyra e tij e interpretimit të lojës, duket qartë se mund ta kemi edhe si trajner Kroos. Një nga ata lojtarë që kur i “varin këpucët në gozhdë”, janë të aftë të transferojnë përvojat dhe idetë e tyre nga një stol.

Megjithatë, Kroos ishte i prerë kur MARCA e pyeti nëse e shihte veten si trajner kur të ndalojë së luajturi: “Unë nuk dua ta ndjek fare atë rrugë, ideja është të bëj një lloj jete tjetër nga ajo që bëj tani”.

Askujt nuk i shpëton fakti që çdo ndeshje e sjell Kroos më afër lamtumirës, por është i sigurt se rekordi i tij nuk është mbyllur.