Alban Hasani, gazetari sportiv i RTSH, mendon se Vllaznia-Tirana është një ndeshje që duhet parë dhe shijuar në maksimumin e mundshëm. Ai, duke folur për Klasiken e futbollit shqiptar, Vllaznia-Tirana, e konsideron si një ndeshje tepër të rëndësishme për të dy ekipet, pasi në përfundim të saj do të vendoset shumë në lidhje me rrugëtimin e titullit kampion për të dy skuadrat.

Në një intervistë për “Shkodra Sport”, Hasani u shpreh se Vllaznia ka arritur të ndërtojë një skuadër pretendente dhe aq më tepër me një trajner që e njeh mjaft mirë kampionatin shqiptar, siç është tekniku kryeqytetas Mirel Josa. Poashtu, gazetari sportiv i RTSH theksoi se ekipi kuqeblu nuk ka treguar një vijueshmëri në kampionat, ç’ka e ka penalizuar disi në synimet e saj që ata kanë. Për më tepër, mund të lexoni intervistën e tij dhënë gazetarit Maringlen Zhivani.

“Vllaznia-Tirana gjithmonë është një ndeshje që duhet parë dhe duhet shijuar. Padyshim është Klasikja e futbollit shqiptar. Të dyja skuadrat janë skuadra të traditës, janë skuadra që i kanë dhënë shumë futbollit shqiptar. Ky sezon të dyja skuadrat i sheh pretendente më shumë se kurrë. Tirana që vjen si kampione e Shqipërisë në fuqi dhe skuadrën e Vllaznisë, e cila ka arritur të ndërtojë një skuadër për të qenë aty pretendente, por mbi të gjitha me një trajner që e njeh mjaft mirë kampionatin shqiptar.

Vllaznia nuk ka treguar një vijueshmëri për sa i përket kampionatit. Kuqeblutë kanë patur momente të vështira, kanë patur momente shumë të mira dhe kjo ka qenë Vllaznia e këtij sezoni dhe këtyre javëve të zhvilluara. Ata nuk kanë treguar një qëndrueshmëri, por hapat fals kanë qenë njëri pas tjetrit. Më pas, kanë qenë edhe hapat pozitiv për skuadrën e Mirel Josës.

Nga ana tjetër, ndryshe ka ndodhur tek Tirana, e cila ka bërë një kampionat më të mirë. Ata kanë patur momente të veçanta ndeshjeje, ku kanë gabuar, por ka arritur të reagojë menjëherë në ndeshjen pasardhëse, gjë të cilën nuk e ka bërë skuadra e Vllaznisë. Momenti i të dyja skuadrave anon tek skuadra e Vllaznisë për mendimin tim, për shkak se Vllaznia ka bërë vetëm një ndryshim për sa i përket merkatos, afrimin e Bekim Balajt, një bomber dhe një sulmuesi me potencë.

Ndërkohë, në krahun tjetër Tirana ka pësuar më shumë ndryshime, pasi ka qenë e kushtëzuar edhe për shkak të dëmtimeve. Të njëjtën gjë e ka patur edhe Vllaznia që ndoshta ka edhe pikën e saj më problematike, pikërisht pjesën e dëmtimeve. Një Vllazni, të cilën ende nuk e kemi parë me Liridon Latifin në kondicionin dhe gjendjen e tij fizike më të mirën e mundshme.

Një Vllazni, e cila ka vuajtur shumë për sa i përket qendrës së mbrojtjes. Kjo ndoshta është pika më e dobët e Vllaznisë së këtij sezoni, pikërisht qendra e mbrojtjes, ku trajneri Mirel Josa shumë herë është dashur të rregullojë repartin, të improvizojë diçka aty për të mbushur boshlleqët dhe mangësitë që kanë lënë Juriç dhe Bulatoviç.

E shoh një ndeshje të luftuar, një ndeshje, e cila do të thotë shumë për të dy skuadrat. Një fitore e Vllaznisë padyshim garën do ta bënte shumë e shumë më të bukur. Një fitore e skuadrës së Tiranës do të thoshte shumë për rrugëtimin drejt titullit kampion për skuadrën bardheblu. Do të ishte jo vetëm një fitore që do ta mbante Tiranën të shkëputur nga skuadrat e tjera, por do të ishte edhe një fitore ndaj një skuadre rivale. Një skuadre që e sheh si konkurrente për sa i përket objektivave të këtij sezoni.

Interesante është edhe “përplasja” mes Mirel Josës dhe Orges Shehit. Josa ka qenë trajneri i Shehit në Skënderbeun e suksesshëm, por Shehi sot po tregon që është padyshim një nga faktorët e trajningut në vendin tonë me rezultatet që ai ka bërë. E shoh shumë edhe një lojë trajnerësh këtë mes Vllaznisë dhe Tiranës përballjen e kësaj jave.

E thashë edhe pak më lart, Vllaznia ndoshta është deri diku më e konsoliduar, për shkak se grupi është i njëjtë, me përjashtim të rikthimeve nga dëmtimet, të cilat e konsolidojnë më shumë ekipin, por nuk është se ka ndonjë ndryshim ndryshe nga Tirana, e cila me elementët e afruar si Abazaj që përkohësisht do të mungojë apo edhe Lushkja që nuk po gjen atë ritmin e duhur tek skuadra bardheblu. Vllazninë e shoh më të konsoliduar për sa i përket kësaj përballje me skuadrën e Tiranës.

Entuziasmi asnjëherë nuk ka munguar kur luhet një ndeshje e tillë mes Vllaznisë dhe Tiranës. Sot skuadrat janë për të luftuar për titullin kampion. Gjithmonë është një ndeshje që tërheq vëmendje për faktin se luajnë dy nga skuadrat më me histori në futbollin shqiptar dhe dy nga skuadrat që i kanë dhënë tonin futbollit shqiptar ndër vite. Padyshim, entuziasmi është ai që do t’i shkojë për shtat skuadrës së Vllaznisë.

Do të jetë Vllaznia ajo që do të ketë më shumë armë plus entuziasmin dhe praninë e tifozërisë, e cila besoj do të jetë e shumtë këtë herë në “Loro Boriçi”, jo vetëm që luhet një Klasike mes Vllaznisë dhe Tiranës, por sepse Vllaznia është aty. Një fitore do ta afronte shumë me Tiranën dhe gjërat pastaj do të ishin në atë rrugën e duhur për skuadrën e Mirel Josës. Unë mendoj se një fitore përballë Tiranës do të thoshte shumë edhe në aspektin e personalitetit në skuadër, besimin e shtuar që Vllaznia do të fitonte nëse do të arrinte të siguronte një sukses ndaj skuadrës kryesuese.

Një fitore Vllazninë do ta bënte edhe më shumë të frikshme. Do ta bënte edhe më shumë pretendente përballë kundërshtarëve të tjerë. Do të ishte aty mes skuadrave që do të luftonin deri në fund, por për ta afruar me titullin kampion do të duhet shumë punë dhe është një rrugë ende e gjatë, pasi ky kampionat ka një të veçantë. Ti mund të fitosh ndaj skuadrës kryesuese, në rastin konkret siç është Vllaznia ndaj Tiranës, por në javët pasardhëse mund të lësh pikë ndaj skuadrave të vendit të fundit apo të mesit të tabelës. Ky është një kampionat që është i paparashikueshëm. Ti mund të fitosh në një fushë të vështirë, mund të fitosh në transfertë lehtësisht, por mund të gabosh në shtëpi.

Eshtë një kampionat i paparashikueshëm, aq më tepër që edhe gara është shumë e fortë. Shumë e fortë në të gjitha frontet, për mbijetesë, për Europën, por edhe për titullin kampion. Megjithatë, unë e shoh që një fitore e skuadrës së Vllaznisë përballë Tiranës, shkodranëve do t’i bënte shumë mirë në aspektin psikologjik, në besimin që do t’i jepte skuadrës, në atë potencial të cilin ata mund ta shfrytëzojnë për vazhdimësinë dhe pse jo të ishin aty pranë skuadrës së Tiranës për ta synuar vendin e parë. Ndoshta, kjo e bën që Vllaznia të jetë më e avantazhuar dhe ndoshta presioni mund të jetë tek Tirana që kurrsesi nuk do të dojë ta humbasë këtë sfidë ndaj një rivali direkt.

Vllaznia i ka të gjitha mundësitë për të qenë kampione në fundin e sezonit. Vllaznia ka organikën, Vllaznia është skuadra që ka shumë potencial në përbërjen e saj. Vllaznia është një ekip, i cili ka treguar se mund të bëjë gjëra të mira në këtë kampionat. Nëse Vllaznia do ta ketë kontigjentin e plotë, do të rikthehen të gjithë futbollistët dhe e riktheksoj edhe njëherë qendra e mbrojtjes ku ka qenë problematike në ndeshje të veçanta dhe është diçka e vërejtur dhe analizuar edhe nga specialistët e futbollit. Nëse do të korrigjohen ato gabime ose ato mangësi që ka patur për shkak të dëmtimeve të detyruara, skuadra shkodrane padyshim që mund ta tentojë titullin kampion.

Për sa i përket parashikimit, nuk jam një parashikues i mirë, por një gjë është e sigurtë. Ajo që do të parashikoj është padyshim mëse e drejtë: Shijoni gjithçka mes Vllaznisë dhe Tiranës. Një përballje, ku spektakli dhe loja e bukur nuk do të mungojë. Do të jetë një ndeshje, ku do të ketë edhe gola, pastaj për të fituar ndoshta fusha dhe episodet mund ta vendosin, por padyshim që është një ndeshje, të cilën duhet ta shijojnë të gjithë. Këtë ndeshje e fiton futbolli i bukur”,-mbylli pronocimin e tij, gazetari sportiv i RTSH, Alban Hasani.
Maringlen ZHIVANI