Kristjan Asllani ishte një nga risitë në listën e Kombëtares, për dy ndeshjet miqësore, fillimisht ndaj Spanjës dhe më pas ndaj Gjeorgjisë. Mesfushori i Empolit, foli ditën e sotme para mediave, ku u shpreh se Spanja nuk i frikëson, ndërsa theksoi se ka kaluar mirë gjatë kësaj periudhe në grumbullim me Shqipërinë.

Jo, nuk na tremb Spanja, por është shumë bukur të luash ndaj këtyre skuadrave. Këto tre ditë kanë qenë ditë të bukura, dhe shpresojmë të bëjmë një ndeshje shumë të mirë. Shpresoj që Shqipëria ta bëjë atë hapin cilësor. Unë do bëj maksimumin dhe shpresoj t’i jap një ndihmë të madhe skuadrës.

Kampionati italian është shumë i vështirë dhe kur vjen këtu është pak më e lehtë. Atje është një kampionat shumë fizik. Nuk e di më kë ngjaj, këtë gjë mund ta thoni ju që jeni jashtë dhe shikoni futboll. Unë nuk e di këtë gjë, unë mendoj vetëm fushën dhe shpresoj të bëj mirë. Nuk kam një idhull, nuk e di.

I pyetur nëse do të jetë titullar ndaj Spanjës, Asllani tha se për këtë vendos trajneri ndërsa më tej u shpreh se nuk mendon për merkaton.

Nuk i di këto gjëra, këto gjëra i di trajneri. Jam i përqendruar vetëm te stërvitja, te ndeshja. Shpresoj të na vijnë sa më shumë tifozë, këtë mund të them.

Nuk i kam shumë qejf këto zërat e merkatos. Mendoj për Empolin, pasi kam 13 vite që luaj me këtë skuadër. Shpresoj të rrimë në kategori, do bëj gjithçka të ndihmoj skuadrën. Është kënaqësi për mua të luaj me Empolin.