Nuk kanë fund “bë mat” e trajnerit Tite. “Gjenerali” që ka marrë drejtimin e Brazilit në një moment të vështirë dhe e shndërroi në një ekip favorit për të fituar Botërorin, ka vendosur rregulla të reja dhe ndryshe nga skuadrat e tjera.

Në fillim shiriti i kapitenit, pastaj mbledhjet kokë më kokë me lojtarët dhe tani një tjetër “urdhër”. Të gjithë lojtarët në stërvitje nuk duhet të vendosin palestrina (mbrojtëse përpara kërcirit të këmbës).

Diçka e tillë bëhet që futbollistët e Brazilit të luajnë në mënyrë të ndershme me kundërshtarin dhe jo në mënyrë të pisët për të tentuar dëmtimin.

Sepse duke luajtur ndershëm në stërvitje me shokët e skuadrës, lojtarët e Brazilit do të bëjnë të njëjtën gjë edhe gjatë ndeshjeve.

Dhe Tite e shpjegon për gazetën argjentinase “Ole” këtë vendim dhe këtë urdhër që u ka dhënë lojtarëve të skuadrës. “Në futboll ka shumë topa të diskutueshëm dhe lojtarët duhet të luftojnë për ta.

Duhet të luftojmë fort, por me ndershmëri. Ndodh në futboll që ka shumë lojtarë të përjashtuar me kartonë të kuq për lojë të ashpër dhe të pisët dhe unë u thashë:

Nga sot e tutje asnjëri nga ju nuk do të mbajë palestrina në stërvitje. Nëse ju bëni këtë lloj sjelljeje me kundërshtarët dhe do të luani ashpër ndaj tyre, dua të shoh se si do të luani me shokët e skuadrës”, tregon Tite.

Më tej, ai vazhdon se me këtë gjë kërkonte t’u përcillte idenë lojtarëve që të kërkonin vetëm topin dhe jo këmbën e kundërshtarit. “Kjo ishte ideja. Që futbolli luhet duke qenë kreativ dhe ‘luftarak’, por deri në disa limite.

Duhet të jesh në një garë me forcë, por mbi të gjitha me ndershmëri. Qëllimi i lojtarëve duhet të ishte vetëm topi”, theksoi ai.

ASNJË I KUQ

Dhe duket se eksperimenti i tij për t’i stërvitur lojtarët pa mbrojtëse ka dhënë efekt.

Ata nuk janë më të ashpër dhe në 21 ndeshjet e drejtuara nga Tite nuk ka pasur asnjë lojtar të ndëshkuar me karton të kuq.

Disiplina është rikthyer të jetë numri një në ekipin brazilian, edhe pse në “genin” e këtij shteti kartonët dhe futbolli i ashpër nuk kanë qenë kurrë parësorë. Ata, më shumë sesa të shkatërrojnë i përqendrojnë forcat te ndërtimi…/panorama-sport/