Vllaznia është e gjitha e përqendruar te Flamurtari. Skuadra ka vijuar përgatitjet edhe dje, por në ndryshim nga e diela, doza e ngarkesave ka ardhur në rritje.

Kërkohet kthesa dhe rikuperimi i pikëve të lëna me Partizanin. Mirsad Jonuz po “thur” strategjinë për të rigjetur fitoren.

Dhe, për fat, grupi do të jetë më shumë i plotë. Gjatë seancës së djeshme, që të gjithë lojtarët ishin të gatshëm.

Nuk ka të dëmtuar dhe as të pezulluar dhe kjo i jep mundësinë trajnerit që të mos kushtëzohet në zgjedhjet e tij. Formacioni nuk është fiksuar ende, e megjithatë sot do të vendosen edhe pikat mbi “i”.

Nuk përjashtohet mundësia që të ketë ndryshime në përbërje dhe modul.