Ish-trajneri i Kombëatares, Astrit Hafizi, u shpreh i kënaqur me paraqitjen e ekipit ditën e sotme përballë Islandës.

Hafizi në studion e “Kuq e Zi”, tregon atë që i pëlqeu më shumë nga kjo fitore, ndërsa veçon treshen e mesit të fushës.

“Bëmë një pjesë të parë shumë të mirë, gabuam shumë pak. Me 3-5-2, apo 3-4-3, bëmë mjaft mirë. Në të dytën, nuk e nisëm mirë. U hutuam në mbrojtje, e vështirësuam vetë. Ekipi kishte kënaqësinë e fitores. Pas disa ndryshimeve në lojë, u bë një guxim i Rejës për futjen e Roshit po në të njëjtin krah, por disa momente të hedh në një dorë, e të pret në një tjetër.

Roshi e justifikoi. Në përgjithësi, ekipi luajti mirë. Më pëlqeu loja e Gjasulës, edhe pse nuk ra në sy. Ishte shumë i thjeshtë. Mesi i fushës nuk ishte bosh. Më vjen mirë edhe për Cikalleshin e Manajn, luftuan shumë dhe shpenzuan energji. Ishte fiks në momentin e golit. Ekipi e justifikoi veten.

Reja më pëlqeu në intervistë. Kemi fituar vetëm një ndeshje. Nuk bëhet analiza vetëm me një ndeshje për të ardhmen. Në mesfushë kemi fituar një treshe të mirë. Gjasula ishte para mbrojtjes, për të thyer aksione, ndërsa më të avancuar ishin Bare e Memushaj.

Tani, me këtë sistem duhet të përshtaten Hysaj dhe Roshi, që Reja të luajë mirë me këtë sistem. Edhe treshja e mbrojtjes, kombinoi më mirë. U hapën, dhe ishin të lirë.” – deklaroi Hafizi.