Pas Bruno Kolës që u shpall fitues dje, një tjetër çiklist i Vllaznisë ka fituar etapën e tretë dhe të fundit të kupës “Mishel Cico” që u zhvillua nga Federata Shqiptare e Çiklizmit në bashkëpunim me Bashkinë Korçë, në nderim të kësaj figure të madhe të këtij sporti. Etapa e sotme ka qenë më e vështira, për shkak të terrenit malor të cilin kanë përshkruar çiklistët pjesmarrës, atë nga Korça në drejtim të Pustecit dhe kthimit sërish në Korçë, e gjatë 82 km.

Malorja e fortë në shkuarje evidentoi katër më të mirët e malit pikërisht Bruno Kolën dhe Astrit Kronajn e Vllaznisë, Amarildo Gogën e Apolonisë dhe Arjan Aliajn e Teutës. Ata janë shkëputur nga të tjerët dhe kështu ka ndodhur edhe kthim por në kilometrat e fundit pastaj janë kapur edhe nga tre sportistë të tjerë, Cani i Vllaznisë dhe një sportist i Apolonisë dhe një i Partizanit duke krijuar kësisoj një shtatëshe që ka pedaluar e vetme deri në mbërritje. Aty, fati i vendit të parë është ndarë në mes dy çiklistëve të Vllaznisë, Kolës e Kronajt që kanë krijuar njëfarë diference me të tjerët dhe kjo ka bërë që me një “kompromis” të heshtur, fitues i kësaj etape të jetë Astrit Kronaj, duke lënë në vend të dytë Bruno Kolën ndërsa në të tretin është renditur Arjan Aliaj i Teutës duke plotësuar kështu edhe podiumin e kësaj etape. Pas përfundimit të garës është zhvilluar ceremonia e dorëzimit të diplomave për fituesit ndërkohë që emocionues ka qenë fakti kur kupën fituesit të kësaj etape ia ka dhuruar bashkëshortja e Mishel Cicos, kampionit korçar për të cilin është organizuar ky aktivitet. Nga ana tjetër, nëse ka patur ndonjë gjë për t’u veçuar nga kjo kupë përveç dominimit të çiklistëve të Vllaznisë në të tre etapat, ka qenë edhe organizimi i shkëlqyer i garës nga policia e Korçës.
Fituesit e etapës së tretë:
1.Astrit Kronaj    (Vllaznia)    2h12’31”
2.Bruno Kola    (Vllaznia)          + 1″
3.Arjan Aliaj     (Teuta)            + 2″

© shkodrasport.com