Në muajin prill, në Itali do të zhvillohet një turne prestigjoz për grupmoshat U-9 dhe U-11, teksa është klubi shkodran, Atletik Club, që do ta përfaqësojë Shqipërinë në edicionin e saj të rradhës.

Ky turne që zhvillohet çdo vit në Itali, ka si synim kryesor të evidentojë talentet e reja që janë pjesë e kampionateve në shtetet e ndryshme, si edhe vëzhgimin e këtyre futbollistëve të vegjël nga stafe të ekipeve të ndryshme.

Duke folur për këtë turne, ish-portieri shkodran dhe drejtori sportiv i Atletik Club, Elis Legata, shprehet në një intervistë për “Shkodra Sport”, se janë futbollistët e vegjël që gjatë këtij turneu do të fitojnë një eksperiencë të re, me të cilët duhet punuar shumë mirë në mënyrë që t’i shërbejnë në të ardhmen futbollit shqiptar dhe atij shkodran.

Gjithashtu, ai u shpreh se ndihet i lumtur për këtë pjesëmarrje në një turne kaq prestigjoz, teksa tha se është viti i 10-të, që përfaqësojnë Shkodrën dhe Shqipërinë.

“Jam i lumtur që për të 10-tin vit, ne përfaqësojmë Shqipërinë dhe Atletik Club Shkodrën, në një turne shumë prestigjoz, me shumë shtete të ndryshme pjesëmarrëse. Eksperiencë shumë pozitive për ne, ku edhe me lojtarët që kemi shkuar vitin e parë në 2012, kemi kujtime të cilat i rikujtojmë edhe sot. Ekipet ndahen në grupe. Tek U-9 janë 24 ekipe. Tek U-11 janë 32 ekipe, të cilët ndeshen në grupe, pastaj kalojnë në 8-she, pastaj gjysëmfinale dhe finalja.

Pjesëmarrja kalon mbi 2500 fëmijë të moshave të ndryshme. Shtetet pjesëmarrëse janë Gjermania, Austria, Zvicra, Franca, Hollanda, Japonia, Kuvajti, Polonia, Serbia, Bosnja dhe shumë vende të tjera. E veçanta e këtij viti, janë grupmoshat U-9, e cila është hera e parë, që do jetë si prezantim nga Atletik Club në këtë turne. Pandemia na zvogëloi numrin e pjesëmarrësve, sepse U-13, U-15 dhe ekipi i parë i vajzave, nuk do të kenë mundësi të udhëtojnë me ne.

Shkak i sanksioneve të vendosura nga shteti italian, ku çdo fëmijë mbi moshën 12-vjeç duhet të jetë i vaksinuar. E mira e aktivitetit është se simboli i turneut është paqja. Në këtë kohë na mungon paqja dhe lumturia. Fëmijët do fitojnë një eksperiencë të re dhe shumë të bukur, duke u përballur me ekipe shumë të forta. Shkëmbim eksperiencash dhe kulturash.

Cilësitë e këtyre ekipeve, na kanë rritur neve si akademi. Shpesh herë, ne i imitojmë dhe i marrim si shembull. Po të përmend vetëm tre nga ekipet ose akademitë pjesëmarrëse për të kuptuar cilësinë dhe rëndësinë e turneut. Akademia e Ajaksit në Hollandë, Akademia e Zeburge, hollandeze edhe kjo, Akademia e Stuttgart gjermane, Akademia e Milanit, Akademia e Beogradit etj.

Akademia jonë Atletik Club organizohet shumë përpara për turneun. Mos të them 6 muaj përpara, duke u kujdesur për çdo detaj. 10 persona janë përgjegjës për kujdesjen e fëmijëve në udhëtim. Në çdo turne mjeku është prezent me ne. Çdo gjë është e mirëorganizuar. Çdo vit përmirësohemi në organizim.

Akademia Arena, që nga viti i parë me ardhjen e tyre në turne, janë bashkuar me ne. Kanë një akademi shumë të mirë dhe të fortë e me lojtarë cilësorë. Të dy akademitë bashkë, do jemi shumë më të fortë në turne.

Besoj se do ta sjellim një trofe në Shkodër, sepse U-9 dhe U-11 janë në vendet e para në Ligën Amatore në Shkodër. Janë ekipe shumë të mira. Trajnerët punojnë shumë mirë. Besoj dhe shpresoj se do na japin kënaqësinë e një trofeu. Do isha shumë i lumtur, nëse do ktheheshim përsëri në Shkodër, si herët e tjera fitues”,-mbylli prononcimin e tij, drejtori i Atletik Club, Elis Legata.
Maringlen ZHIVANI