Presidenti i Kamzës Naim Qarri është përgjigjur prentendimeve të drejtorit të Vllaznisë Engin Firat se agjentë të disa lojtarëve të Kamzës i kishin ofruar zyrtarit të klubit shkodran lojtarë të Kamzës.
Në një intervistë për newsport.al, Qarri u shpreh se nuk ka dijeni për këtë situatë duke theksuar se lojtarët e tij janë nën kontratë me klubin.
Ai zbuloi se momentalisht klubi po diskuton për përforcime në repartin e mbrojtjes, ku po diskutohet me një anësor si dhe duke pretenduar dhe për një qendërmbrojtës. Ndërsa mesfusha do të mbetet e paprekur.
– Drejtori i Vllaznisë Engin Firat deklaroi në faqen zyrtare të Vllaznisë se agjentë të futbollistëve tuaj kanë kontaktuar me të për të sjellë lojtarë të Kamzës te Vllaznia? Keni dijeni për këtë gjë?
Nuk e di çfarë të të them. Këto janë thashetheme merkatoje. Futbollistët e Kamzës janë nën kontratë me klubin dhe pjesë e jona.
– Pas largimit të Erlis Frashërit te Teuta, a do bëni ndërhyrje në merkato për ta zëvendësuar?
Frashërit i kishte mbaruar kontrata dhe unë nuk mund ta mbaja më te ekipi. Por nuk do të gjejmë alternativë nga merkatoja sepse i kemi në ekip vetë. Është Idrizaj.
– Hektor Idrizaj është përfolur se mund të largohet nga ju? Është e vërtetë?
Është thashethem. Nuk ka asgjë të vërtetë.
– Por për interesimin për mbrojtësin e Vllaznisë Renato Malotën, në çfarë pike keni arritur me bisedimet?
Me Malotën thjesht ka qenë një bisedë, por nuk ka asgjë reale dhe konkrete.