Per çeshtjen e privatizimit te Vllaznise ka folur edhe anëtari tjetër i komisionit të sporteve prane Keshillit Bashkiak Shkoder, përfaqësuesi i Partisë Republikane, Avenir Haxhija, i cili u shpreh: “Procedurat për privatizim janë gati dhe kjo tashmë dihet. Por unë dua të sqaroj edhe tifozët e Vllaznisë e gjithë shkodranët në tërësi për punën që kemi bërë si komision. Ju siguroj se në komisionin e sporteve nuk ka mbërritur asnjë shkresë apo kërkesë për të hyrë në bisedime me bashkinë për të blerë aksionet e klubit.
Normalisht klubi ka borxhe dhe ato dihen tashmë, por unë jam i bindur se nëse do të ketë të interesuar në këtë drejtim, të ulen dhe të diskutojnë për këto borxhe që konsiderohen si pengesë. Jam i bindur se nuk mungon vullneti i bashkisë dhe kryetares që të diskutohet me çdo të interesuar.
E kam këtë bindje edhe për shkak të bisedave që kam pasur me drejtuesit më të lartë të bashkisë. Është fare e qartë se bashkia është e gatshme që t’i marrë përsipër këto borxhe dhe kryetarja e bashkisë, znj.Ademi, ka qenë gjithmonë e gatshme për të hequr dorë nga klubi i futbollit “Vllaznia”.
Por, siç e thashë që në fillim, nuk ka ardhur akoma asnjë person fizik apo juridik që të sjellë kërkesë zyrtare dhe natyrshëm komisioni i sporteve do të ishte në dispozicion të plotë. Ne e dimë të gjithë që Vllaznia nuk mund të mbahet nga bashkia. Nëse nuk privatizohet, e ardhmja e Vllaznisë nuk ka për të qenë e mirë.
Unë u bëj thirrje të gjithë biznesmenëve apo kompanive që janë të interesuara për këtë klub, që të vijnë të ulen në diskutime dhe jam i bindur se do të dalin këto fjalë që po them. Do të gjejnë një gatishmëri absolute të bashkisë për një marrëveshje transparente për ta kaluar klubin në duart e privatit”./panorama-sport/