Armando Sadiku nuk mund të jepet në huazim nga Levante gjatë merkatos së janarit pasi nuk e lejon Federata Spanjolle. Duket shumë absurde, por një pikë e veçantë në rregullore nuk lejon futbollistin shqiptar që të transferohet nga klubi spanjoll gjatë kësaj periudhe përveçse nëpërmjet shitjes së kartonit të tij.

Gjithçka është pasojë e rregullave të Federatës Spanjolle të Futbollit sa i përket regjistrimit dhe çregjistrimit të lojtarëve nga ekipi i parë që përbehet prej 25 emrash. Edhe pse Sadiku ishte fillimisht pjesë e Levantes, ai u desh të çregjistrohej nga klubi në muajin gusht, për t’u bërë vend emrave të tjerë në 25-shen e kampionatit, duke i dorëzuar edhe numrin 7 që mbante në shpinë Simon Moses. Kjo, pasi ai u dëmtua gjatë një miqësoreje para kampionatit në gusht dhe ishte e qartë se nuk do të mund të luante në pjesën e parë të sezonit.

Por te Levante nuk ka hapësira që t’i mundësojnë atij aktivizimin e ngadaltë derisa të kthehet në formën më të mirë dhe në klub mendojnë se më e mira do të ishte që ia të gjente një vend tjetër për ta bërë një gjë të tillë. Sipas medieve spanjoll, këtë ia pengon rregullorja e Federatës Spanjolle. Në nenin 116 të rregullores së aktivitetit parashikohet që një lojtar nuk mund të regjistrohet e çregjistrohet dy herë në një klub brenda të njëjtit sezon.

Meqenëse është kryer njëherë procesi i çregjistrimit i Sadikut, me pak fjalë Levante nuk mund ta bëjë për një herë të dytë në këtë edicion, pasi ta regjistrojë për ta dhënë atë në huazim në një klub tjetër, siç parashikon rregullorja. I vetmi opsion është ai i shitjes së kartonit të tij që parashikohet në rregullore, ose mbajtja dhe aktivizimi në pjesën e dytë të sezonit.

Por për të bërë këtë të fundit, duhet çregjistruar një tjetër nga 25 emrat e dorëzuar në Federatë. Kjo ka komplikuar disi situatën e sulmuesit shqiptar, pasi pavarësisht interesimit, klubet e tjera nuk duken shumë të gatshëm të blejnë kartonin e një futbollisti që nuk ka rikuperuar ende plotësisht nga dëmtimi. /vipsport/