Dëshira e një tifoz që jeton në Teksas, sipas “AS”, ishte të shikojë nga afër “Superclasico”-n në Madrid. Ëndërr e realizuar, sepse intervista me të është bërë pikërisht në kryeqytetin spanjoll. Tifozi ka organizuar gjithçka deri në detaje për këtë udhëtim, që do ta mbajë mend gjithmonë. Ai prenotoi një dhomë në hotelin, ku është akomoduar edhe njëra prej dy skuadrave argjentinase. Po cila skuadër?

“Heroi” i kësaj historie është një tifoz i Boka Zhuniorit, por pas 8000 kilometrash udhëtim ai u gjend në hotelin e River Plejtit. Një gabim i rëndë, që rrezikon t’i prishë shumë punë tifozit besnik të Bokës. “Shkova në hotel, pushova pak dhe më pas zbrita nga dhoma. Aty ishte gjithë River Plejti, skuadra, stafi dhe gazetarët. Nuk po u besoja syve. Për fat të mirë nuk zbrita me fanellën e Bokës”, – tregon tifozi.

Të intervistohesh nga një e përditshme prestigjioze si “AS”, është vështirë ta ruash anonimatin, por fama e ka një çmim. Është rrezik i madh të dalësh hapur, duke qenë se jashtë hotelit janë mbledhur tifozët e Riverit. Po sikur të ndërrosh hotel? “Jo, tashmë po e përjetoj gjithçka nga këtu, kam edhe biletën për në stadium dhe do të nisem në mëngjes”, – shprehet më tej tifozi i Bokës.

Në fund ai bën edhe një parashikim për ndeshjen: “Do të jetë e komplikuar. Zemra më thotë se fitojmë ne 1-0, por këtu po shoh që Riveri ka përqendrim maksimal për ndeshjen. Janë si luanë dhe do të jetë e vështirë t’i mposhtim. Mund të shkojë edhe me penallti”. Për tifozin e Bokës do të jetë i vështirë kthimi në hotel në çdo rast. Nëse fiton Boka, ai nuk mund të festojë. Nëse fiton Riveri, askush nuk do të të ishte në vend të tij. / Vipsport/