Nis një aventurë e re për ish-mesfushorin e U19 të Shqipërisë, Armand Rada. Futbollisti i cili doli nga radhët e akademisë së Interit, tani po bëhet gati për etapën e radhës në karrierën e tij, duke mos lëvizur nga Italia.
Rada ka qenë në dy sezonet e fundit pjesë e klubit të Renate, duke shkëlqyer në Serinë C e duke qenë një nga emrat më të spikatur atje.
Kjo bëri që rreth futbollistit të ketë interes edhe nga klubet e Serisë B, por mesfushori 22-vjeçar ka vendosur që të bëhet pjesë e një projekti të ri në një klub ku ka të sigurt praninë në formacion, duke synuar që ngjitja në Serinë B të jetë graduale.
Kështu, ai pritet të firmosë në ditët në vijim me ekipin e Virtus Entela, që po rindërtohet në Serinë C me idenë për t’u ngjitur sa më shpejt në Serinë B.
Djaloshi shqiptar pritet të firmosë një kontratë afatgjatë me klubin, duke shpresuar që të bëjë sa më shpejt realitet ëndrrën për ngjitjen një kategori më lart të cilën nuk e realizoi dot me Renate.