As në huazim dhe as te Samsunspori! Esin Hakaj nuk do të vazhdojë karrierën në Turqi, pasi përfundimisht ka refuzuar kërkesat e klubit ku u stërvit prej një muaji.

“Panorama Sport” zbulon ekskluzivisht se mbrojtësi i majtë ka prishur dje kontratën, pa luajtur asnjë ndeshje zyrtare me Samsunsporin. Hakaj u largua nga Partizani si lojtar i lirë dhe gjeti akordin me turqit, bashkë me sulmuesin Eraldo Çinari. Mirëpo, me ndryshimin e trajnerit, gjërat morën një tjetër rrjedhë.

24-vjeçari nuk preferohej si titullar dhe duke qenë se kishte shumë të huaj në ekip, klubi i ofroi huazimin në një tjetër ekip. Mirëpo, shkodrani përfundimisht i refuzoi këto opsione dhe kërkoi prishjen e marrëveshjes.

Gazeta zbulon se menjëherë Vllaznia i ka bërë një ofertë zyrtare lojtarit dhe gjasat janë që ai të rikthehet në Shkodër. Edhe Partizani është interesuar, por më shumë mundësi ka të vishet kuqeblu.