Manchester City aktualisht po përballet me më shumë se 100 akuza për shkelje të rregullave financiare të Premier League midis viteve 2009 dhe 2018. Megjithatë, shumë tifozë besojnë se klubi është “viktimë” e një komploti. Pse? Sepse dominimi kombëtar i “qytetarëve” e ka vënë Premier League në një pozicion shumë të rrezikshëm.

Liga e lartë angleze e ka shitur veten te konsumatorët anembanë globit si ‘liga më e mirë në botë’, sepse është më emocionuese dhe, më e rëndësishmja, më konkurruesja. Ata kanë ndërtuar një markë miliarda dollarëshe mbi këtë iluzion, por titulli i pestë i Guardiolës në gjashtë sezone për Manchester City ka nxjerrë në pah disa dobësi.

Martin Tyler, zëri i “Sky Sports” për tri dekada, si shumë figura me ndikim në mediat britanike, ende bën të pamundurën për të ruajtur iluzionin e interesit. “Një nga atraksionet e mëdha të Premier League qëndron në faktin se nuk është ligë për vetëm një skuadër”, – këmbënguli ai, pa asnjë gjurmë ironie, ditën kur Arsenali në mënyrë të pashmangshme iu nënshtrua epërsisë së City.

Është e qartë se tifozët e futbollit janë shumë besnikë, veçanërisht në Angli. Pavarësisht shfaqjes së një grupi prej gjashtë skuadrash, një lloj “Big Six” që efektivisht ka detyruar çdo pjesëmarrës tjetër të fokusohet në ruajtjen e vendit të tyre në ligën më fitimprurëse të futbollit, tifozët vazhdojnë të mbushin stadiumet në të gjithë vendin, duke krijuar një atmosferë dhe spektakël që Premier League paketohet në mënyrë të përkryer për një audiencë televizive globale.

Dhe kjo është thelbësore, sepse shitja e të drejtave televizive ndërkombëtare është burimi i pothuajse të gjitha parave që vijnë. Janë këto para që e kanë vënë Premier League në një bazë financiare krejtësisht të ndryshme nga të gjitha kompeticionet e tjera vendase në Evropë. Kjo është arsyeja pse Florentino Perez & Co janë kaq të etur për një Superligë Evropiane.

Nuk ka asnjë kërcënim të afërt për fuqinë financiare të Premier League. Marrëveshja e fundit me SHBA, e vlefshme deri në vitin 2028, vlen 2.7 miliardë dollarë, pasi shumica e tifozëve jashtë shtetit ndjekin gjithsesi vetëm skuadra si Manchester United, Chelsea, Arsenal dhe Liverpool./telesport/