Ky vit futbollistik që po lëmë pas ka qenë mjaft i suksesshëm për dy futbollistë shkodranë. Fjala është për dyshen e Egnatias, Alen Sherri dhe Abdurraman Fangaj, me dy lojtarët me origjinë nga qyteti verior që kanë qenë me të vërtetë protagonistë tek rrogozhinasit.

Tashmë, pas hyrjes në Kupat e Europës, synimin që e kishin që nga fillimi i sezonit, ata janë në garë edhe për trofeun e Kupës së Shqipërisë, të cilin do ta diskutojnë me Tiranën.

Si portieri, ashtu edhe mbrojtësi i djathtë, kanë zhvilluar një vit futbollistik shumë të suksesshëm, në aktivizimet e tyre me Egnatian, ku edhe kanë merita për hyrjen në Europë të këtij ekipi. Transferimi i tyre tek një prej ekipeve më të mira në Shqipëri të këtij sezoni ndodhi në verë, ku që të dy arritën të përshtateshin shumë mirë që në fillim.

Në fakt, që në fillimet e tyre tek Akademia Vllaznia, dy futbollistët shkodranë konsideroheshin me shumë të ardhme, por që realisht me ekipin e parë kuqeblu shumicën e ndeshjeve ata qëndruan në stol, në periudhën kur ata luajtën në Shkodër.

Megjithatë, tashmë si për ironi të fatit, Alen Sherri dhe Abdurraman Fangaj janë ndër dy futbollistët më të mirë tek Egnatia dhe madje edhe më të aktivizuarit, teksa patjetër që dyshja shkodrane do të kërkojë që ta mbyllë këtë vit futbollistik edhe me fitimin e trofeut të Kupës.
Maringlen ZHIVANI