Thursday, April 30, 2026
FAQJA E PARE FUTBOLLKATEGORIA SUPERIOREMungesat e sulmuesve, ndikojnë tek golat e Vllaznisë

Mungesat e sulmuesve, ndikojnë tek golat e Vllaznisë

Shkruar nga Endri ÇINARI

Në një moment kur çdo pikë peshon sa një sezon i tërë, Vllaznia po vuan një rënie të dukshme të efikasitetit në repartin ofensiv. Shkodranët, që për një kohë të gjatë janë identifikuar me një lojë të shpejtë dhe të rrezikshme përpara, tani po hasin vështirësi serioze për të gjetur rrugën e rrjetës. Vetëm 4 gola në 7 ndeshjet e fundit të kampionatit janë një tregues i qartë i këtij ngërçi.

Këto gola kanë ardhur në fitoret minimale 1-0 ndaj Teuta dhe 0-2 ndaj Partizani, si dhe në humbjen 3-1 përballë Elbasanit. Një prodhim shumë i ulët për një skuadër që synon titullin kampion dhe që në këtë fazë duhet të bëjë diferencën pikërisht përmes forcës sulmuese. Nëse përfshihen edhe dy ndeshjet e Kupës gjatë kësaj periudhe, bilanci bëhet edhe më shqetësues: vetëm 5 gola në 9 takime.

Për një pretendent serioz, këto shifra janë alarmante. Vllaznia duket se ka humbur freskinë dhe spontanitetin në fazën sulmuese, duke u bërë më e parashikueshme dhe më e lehtë për t’u neutralizuar nga kundërshtarët. Aksionet shpesh mbeten të papërfunduara, ndërsa konkretizimi në zonën vendimtare mungon në momentet më të rëndësishme.

Një nga arsyet kryesore të kësaj rënieje lidhet me mungesat e rëndësishme në repartin ofensiv. Lojtarë si Lirim Kastrati dhe Çarls Bismark kanë pasur një rol të rëndësishëm në dinamikën e lojës, edhe pse jo gjithmonë kanë qenë protagonistë në shënimin e golave. Prania e tyre në fushë i jepte skuadrës ritëm, shpejtësi dhe një dimension tjetër në sulm.

Me të dy jashtë për shkak të problemeve fizike dhe me sezonin praktikisht të mbyllur për ta, Vllaznia ka humbur shumë nga rrezikshmëria që e karakterizonte. Sulmi është bërë më statik, më i lexueshëm dhe mbi të gjitha ka humbur elementin e befasisë që shpesh çorienton mbrojtjet kundërshtare.

Burimi: Gazeta “Shkodra Sport”

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments