Trajneri i Vllaznisë, Thomas Brdaric ka folur në konferencën për shtyp para ndeshjes me Kastriotin. Kuqeblutë kryesues do presin nesër në 16:45 në “Loro Boriçi” krutanët, teksa kërkohet një fitore bindës dhe jo me “zemër në dorë” në javën e 16 të Superligës.

Kroato-gjermani feston sot ditëlindjen, teksa ka falenderuar tifozët për surprizat në stërvitje dhe rrugët e qytetit të Shkodrës. Brdaric e ka vendosur theksin te qetësia, shëndeti dhe mësimin nga gabimet, pasi janë luajtur vetëm 15 javë dhe skuadra mund të ketë ulje-ngritje.

“Një ditëlindje me surpriza tifozësh, i befasuar?

Faleminderit të gjithëve për urimet, shpresoj që edhe ju të jeni mirë. Ju duhet të besoni dhe ju falenderojmë për bashkëpunimin që keni me ekipin.

Do ishte bukur të festohej me fitore ndaj Kastriotit – E rëndësishme është që jemi të gjithë të shëndetshëm. Është e rëndësishme që shëndeti të jetë primar, sepse shumë veta kanë humbur jetën në këtë periudhë pandemie. Nëse jemi mirë, çdo gjë tjetër rregullohet.

Ndeshjet e “lehta” Vllaznia i ka bërë keq shpeshherë – Ne duhet të mësojmë prej çdo momenti. Kanë ikur 15 javë dhe do kemi ulje-ngritje. Duhet të mësojmë prej këtyre situatave dhe t’i kalojmë”, tha shkurtimisht 46 vjeçari.