Ralf Rangnick dhe Roberto De Zerbi janë dy emrat kryesorë në listën e kandidatëve që Bajern ka për të zëvendësuar Tomas Tuhel në përfundim të këtij sezoni.

Drejtuesit bavarezë kanë zhvilluar bisedime me Rangnick, që aktualisht drejton kombëtaren e Austrisë. Ai është i hapur për marrjen e drejtimit të Bajernit, por klubi duhet t’i paguajë një kompensim Federatës Austriake, pasi trajneri është nën kontratë deri më 2026. Nga media është zbuluar se drejtuesit kanë pasur edhe një takim në fundin e marsit me Roberto de Zerbin në Angli.

Takimi me trajnerin e Brightonit ka zgjatur tetë orë, por nuk është arritur në ndonjë përfindim. Ai ka një klauzolë lirimi prej 14 milion eurosh me klubin anglez, si edhe një staf të madh ndihmësish.

Drejtuesit bavarezë do të mblidhen sërish për të diskutuar kandidatët dhe duhet që emri i zgjedhur të ketë konsensus. Deri tani, Rumenige dhe Uli Hënes kanë pasur preferenca të ndryshme, dhe, ndonëse nuk janë më në pozita vendimmarrëse, fjala e tyre ka mjaft peshë dhe ndikon në zgjedhjet e bëra nga bordi drejtues.