Bajern Mynih mbrëmë ka shkruar emrin në librin e rekordeve, pasi është bërë zyrtarisht ekipi me kualifikimin më të mirë në historinë e këtij turneu nga faza në grupe. Bavarezët shënuan një arritje të jashtëzakonshme pasi e mbyllën fazën në grepe me pikë të plota dhe me një golavarazh +19 (25-5).
Askush nuk kishte bërë më mirë se kaq, e kjo duhej të ishte një arsye për të festuar. Por te Bajerni pas ndeshjes të gjithë e kishin mendjen te dëmtimi i çuditshëm dhe i njëkohësisht i frikshëm i Kingslei Koman.
Mesfushori në pjesën e parë vuri këmbën keq dhe fluturoi në ajër pasi iu kthye njëkohësisht gjuri dhe kavilja. Ai ra në tokë duke mbajtur këmbën dhe u desh të shoqërohej jashtë nga stafi mjekësor mes dëshpërimit e dhimbjeve të dukshme.
Një dëmtim që trondit padyshim skuadrën pasi Koman tani është një titullar fiks dhe historia e tij e dëmtimeve e ka mbajtur shpesh larg fushave të lojës.
Futbollisti është dërguar në spital për ekzaminime të tjera, ndërsa lojtarët dhe vetë trajneri Flik pas ndeshjes thanë se situata për momentin nuk dukej edhe aq e mirë, në pritje të përgjigjeve të testeve. /vipsport/