Karl Hainc Rumenige ka folur në një intervistë të gjatë për “Sport1” duke shprehur objektivat e skuadrës së Bajernit për sezonin e ri. Ish-lojtari i kampionëve të Gjermanisë beson se ekipi është ndërtuar për të fituar shumë trofe. Çfarë do të thotë për ju “Mia san Mia”? Në gjermanishten e pastër përkthehet “Ne jemi ne”.

Mund të tingëllojë disi arrogante në fillim, por ajo që shpreh është se Bajerni është një familje e madhe ku të gjithë mund të gjejnë një strehë dhe të qëndrojnë së bashku kur kanë probleme dhe kërkojnë ndihmë. Nuk ka rëndësi nëse janë lojtarë apo tifozë. Këtu ne mundohemi të jetojmë në harmoni me njëritjetrin.

Tifozët ju kanë kritikuar jo pak pas deklaratave kundër Kovaçit, pse?

Nuk ka qenë një reagim i rastësishëm. Të gjithë që janë pjesë e Bajernit duhet të justifikojnë punën e tyre. Ky është sistemi këtu.  Tifozët kanë të drejtën e tyre dhe mund të shprehen si të duan. Në fund të fundit të gjithë kanë mendimin e tyre.

Si duhet të jetë marrëdhënia e një personi në pozicionin tuaj me ultrasit e skuadrës?

Marrëdhënia duhet të jetë reciproke. Ata janë një pjesë e rëndësishme e klubit ashtu si dhe unë, apo një tjetër në vendin tim. Duhet të ruhen gjithmonë marrëdhënie të mira dhe secili të bëjë punën e tij për të mirën e klubit.

Kovaç bëri dopietë në sezonin e fundit, si e vlerësoni paraqitjen e tij?

Niko është një trajner relativisht i ri. Sezoni i kaluar nuk ishte shumë i lehtë për të, por mendoj se ka nxjerrë mësimet e duhura. Në fund u shpërblye me dy trofe. Siç është edhe shprehja: një fund i mirë është gjithmonë diçka e mirë.

rumenige

A do të jetë Kovaç tani më i fortë se një vit më parë?

Po, pa asnjë dyshim. Trofetë do ta ndihmojnë shumë.

Çfarë parashikoni në të ardhmen te Bajerni?

Ky klub zien nga emocionet e shumta. Por ndonjëherë mendoj se duhet të jemi më të qetë dhe t’i marrim gjërat më me qetësi. Besoj se njerëzit që punojnë në këtë klub do të ndryshojnë në të ardhmen.

Ajo çfarë ra në sy këtë sezon ishte marrëdhënia e mirë midis Bajernit dhe Dortmundit, është e vërtetë?

Kur Borusia ishte në vendin e parë me 9 pikë më shumë se ne, nuk erdhi asnjë deklaratë ironizuese në drejtim të skuadrës sonë. Kur ne arritëm t’i parakalonim, mendova se nuk do të ishte e drejtë nëse ne do të vepronim ndryshe. U treguam seriozë.

Si e vlerësoni merkaton e dortmundasve deri tani?

Pozitive. Mendoj se kualiteti në kampionatin e ardhshëm do të jetë më i madh. Në fund të fundit, edhe Bajerni është i interesuar që konkurrenca të jetë e madhe. Kjo i bën shumë mirë Bundesligës. Ishte pikërisht kjo që na kishte munguar për gjashtë vite me radhë.

Mendoni se do të jetë një kampionat i luftuar ai i ardhshmi?

Duam të shpallemi për herë të shtatë kampionë të Gjermanisë. Por jam i sigurt se Borusia do të sulmojë sërish trofeun. Pastaj janë edhe skuadra të tjera si Lajpcig apo Leverkusen që do të kërkojnë diçka më shumë. Të dielave shoh gjithmonë kampionatin anglez. Kjo sepse aty ka shumë skuadra që luftojnë për titullin kampion.

Rumenige

A do ta synojë Bajerni sërish tripletën?

Ky klub është gjithmonë në kërkim të trofeut të Champions-it. Në historinë tonë 119-vjeçare, e kemi fituar vetëm 1 herë tripletën. Kjo harrohet shpesh. Në 2013 kemi zhvilluar një nga sezonet më të bukura. Por tani jam i mendimit se kjo gjë po bëhet çdo vit e më e vështirë për të triumfuar në Europë. Champions-i është gjithmonë ndryshe nga kompeticonet e tjera. Prandaj do të jetë gjithmonë në objektivat tanë, përsëritja e sezonit 2013. Mbaj mend se atëherë kur shkuam në Portland të Amerikës, u pritëm sikur të ishim “Beatles” apo “Rolling Stone”.

Çfarë duhet për të fituar Champions-in?

Është një miksim. Unë nuk jam një tifoz i djemve të rinj. Për të qenë më i qartë. Që të fitosh në një kompeticion të tillë, të duhen lojtarë me eksperiencë. Nuk mund ta bësh nëse në skuadër ke 5-6 lojtarë 18-vjeçarë. E kujtoni finalen e Kupës? Ajo u vendos vetëm nga dy lojtarë. Manuel Nojer dhe Robert Levandovski. Trofetë e rëndësishëm fitohen vetëm me lojtarë të tillë.