Sulmuesi shkodran Bekim Balaj ka luajtur 28 minuta në ndeshjen e mbrëmjes së sotme për skuadrën e tij e cila ka fituar 3-1. Ai nuk është preferuar nga minuta e parë nga trajneri i tij në ndeshjen e vlefshme për Europa League ndaj skuadrës izraelite Kiryat Shmonës. Mungesa e Balës që nga fillimi nuk është ndjerë ngaqë skuadra e Spartës së Pragës ka shënuar plot tre gola që në pjesën e parë. Balaj ka hyrë në fushë në minutën e 62-të në vend të Këeuke dhe ka qenë protagonist në tre momente duke rrezikuar seriozisht portën e izraelitëve të Kiryat Shmonës. Në fakt, gjatë momenteve që Balaj ka qenë në fushë skuadra izraelite ka shënuar golin e parë por që ka qenë i pamjaftueshëm për të marrë qoftë edhe një pikë në këtë ndeshje sepse Sparta ka fituar me rezultatin 3-1. Me këtë fitore skuadra e Spartës në të cilën luan edhe sulmuesi shkodran, është ngjitur në kuotën e 6 pikëve pas tre ndeshjeve të luajtura, duke zënë kështu vendin e dytë në grup pas Lionit që udhëheq më 9 pikë. Pozicioni për çekët me të cilët luan edhe Bala është komod sepse ka lënë prapa Atletiko Bilbaon dhe Kiryat Shmona.
www.shkodrasport.com