“Ekipi ka funksionuar siç duhet, por ka çaluar disi në sulm dhe kjo nuk është hera e parë që ndodh. Lojtarët shpërdorojnë shumë raste, të cilat mund të kishin ndryshuar rrjedhën e atij rezultati. Duhet që lojtarët e sulmit të ishin treguar më të saktë para portës në rastet e krijuara”. Kështu e ka nisur bisedën e tij , numri një i pankinës së Vllaznisë, Shpëtim Duro, i cili e ka vënë përsëri theksin te mungesa e konkludimit, çka ndikoi në humbjen e takimit të kupës me peqinasit. Një mungesë e konkludimit është vënë re te kuqeblutë edhe në startin e kampionatit, por që u duk se ndryshoi në takimet e fundit dhe pikërisht nga lëvizjet që trajneri Duro bëri në formacionin e tij.

Megjithatë, me këtë kontingjent, numri një i pankinës do të vijojë deri në fund të kësaj pjese të sezonit për të bërë më pas edhe ndryshimet e pritshme.
Kualifikimi – Humbja në takimin e parë ka vënë në mëdyshje kualifikimin e Vllaznisë për në turin tjetër të Kupës së Shqipërisë. Madje, edhe vetë trajneri Shpëtim Duro e cilëson humbjen si mjaft të rrezikshme për të arritur objektivin që skuadra i ka vënë vetes. Megjithatë, sipas tij, Vllaznia do të bëjë gjithçka për t’u kualifikuar. “Është me të vërtetë një rezultat i keq. Një humbje që duket minimale nuk është krejtësisht e lehtë për t’u kthyer. Megjithatë, nisur edhe nga loja që skuadra jonë ka zhvilluar në Peqin, jam optimist se do të jemi ne në turin tjetër. Mirëpo, e ritheksoj se nuk do të jetë një kualifikimin i lehtë. Ndryshe e kisha menduar para takimit, pasi nuk e prisja këtë humbje. Ndërsa, për lojën e zhvilluar në takimin e parë, mund t’ju them se në përgjithësi skuadra ka luajtur mirë dhe në total ne kemi dominuar më shumë në fushën e lojës, por s’kemi arritur të shënojmë. Gjithsesi, besoj se do kualifikohemi”.
Kampionati – Vllaznia do të përballet sërish me peqinasit, por kësaj here për llogari të kampionatit. Një takim, në të cilin Duro dhe të tijtë do të kërkojnë vetëm një rezultat: fitoren, me shpresën e vetme që të arrijnë, pse jo, të jenë të dytit. “Mendoj se takimi i kampionatit ndaj Shkumbinit duhet të shikohet krejt i veçuar nga ai i kupës. Luajmë në fushën tonë, ku do të kërkojmë të marrim vetëm një rezultat: fitoren. Kjo na krijon mundësinë për të qenë në vendin e dytë, gjithnjë nëse gabojnë dhe kundërshtarët tanë. Megjithatë, ne nuk shikojmë se çfarë do të bëjnë njëri apo tjetri rival, por të bëjmë ashtu siç duhet punën tonë”.
Admir Uruçi