Nga Endri ÇINARI

Pas ndeshjes Adriatiku – Basania të përfunduar në shifrat 2-2 në kuadër të javës së katërt të Kategorisë së Dytë, për mediat foli trajneri i bushatasve, Dervish Haxhisomanoviç. Numri një i pankinës së Basanias u shpreh i dyzuar nga ky barazim, ku theksoi se për mënyrë si shkoi takimi kjo pikë duhet vlerësuar. Teksa malazezi thekson se skuadra duhet të përmirësojë sepse objektivat janë ambiciozë e mundësitë janë për më mirë për skuadrën që ai drejton.

Haxhiosmanoviç u shpreh duke thënë: “Mund të them se jam disi i kënaqur për këtë barazim, kjo vetëm për faktin si shkoi ndeshja. Kjo pasi ishim në disavantazh me dy gola, luajtëm me 10 lojtarë në 20-25 minutat e fundit e po ashtu barazuam në sekondat e fundit. Duhet të shtoj se edhe kishim mungesa si: Elbasani, Kofu dhe Nikshiqi që janë futbollistë të rëndësishëm për ne.

Megjithatë nuk dua të justifikohem pasi sot kundër Adriatikut mund të kishim fituar me 3-4 gola diferencë e prandaj edhe më vjen disi keq.

Pësimi i golave? Është diçka që e kemi diskutuar shumë herë, pasi skuadra po pëson shumë gola. E shpesh herë edhe gola të thjeshtë, prandaj janë situata që duhen përmirësuar dhe korigjuar. Kjo edhe sepse ekipi ka ardhur në rritje që nga ndeshja me Skënderbeun e duhet t’i shfrytëzojmë aftësitë tona.

E ardhmja e ekipit? Unë shoh cilësi këtu dhe ky ekip do vijë sërish në rritje e për këtë kam besim. Që nga ndeshja e rradhës me Shirokën ne kemi si synim rikthimin tek fitorja dhe sukseset.

Eksperienca te Basania? Më pëlqen ambienti këtu dhe ky bashkëpunim. Për mua s’ka rëndësi liga ku drejtoj e kam thënë disa herë, unë dua futbollin dhe të punoj me njerëz që po ashtu e duan. Them se kemi mundësi për akoma më tepër e për të dhënë akoma më shumë ndeshjet e rradhës”.(www.shkodrasport.com)