✍️ Shkruar nga Endri ÇINARI
Pas 14 javëve të kampionatit në Superiore, Vllaznia është ekipi që ka shënuar më shumë gola. Me kuqeblutë që e kanë gjetur rrjetën 19 herë deri më tani, ku po ashtu kanë shënuar plot 10 futbollistë të ndryshëm. Duke treguar se tek shkodranët janë të familjarizuar me shënimin e golave këtë edicion.
Dhe në të gjitha ndeshjet e deri më tanishme të shkodranëve ka pasur gola, si të shënuar apo edhe të pësuar nga ana e tyre, duke përjashtuar takimin e fundit. Kjo pasi duhej të vinte pikërisht ndeshja me Vorën në raundin e 14-të të këtij edicioni që të shënohej ndeshja e parë pa gola për Vllazninë.
Me barazimin 0-0 ndaj debutuesve të Superligës këtë edicion, ndodh për herë të parë për Vllazninë që s’ka asnjë gol në ndeshjet ku shkodranët kanë qenë pjesëmarrës. Qoftë nga vetë kuqeblutë apo kundërshtari, duke treguar kështu që ndeshjet ku kuqeblutë kanë zbritur në fushë kanë pasur çdo herë gola.
Po ashtu ndeshja me Vorën shënon duelin e 3-të këtë edicion ku 9 herë kampionët e vendit nuk arrijnë të shënojnë. Ku më parë kuqeblutë janë ndalur në humbjen 1-0 në javën e 11-të kundër Flamurtarit e po ashtu në humbjen 0-1 ndaj Teutës në javën e 13-të. Teksa në 11 takimet e tjetra të zhvilluara këtë edicion të besuarit e Martinit kanë arritur gjithmonë të shënojnë minimalisht një gol, pavarësisht rezultatit përfundimtar të takimit.
Burimi: Gazeta “Shkodra Sport”















