Vllaznia arriti fitoren e 3-të në 4 ndeshjet e fundit në kampionat kundër Partizanit mbrëmë. Suksesi i shkodranëve në shifrat 1-0 përballë të kuqve i mban ata shumë afër kreut dhe në garë për vendet e larta të renditjes. Por ai që ishte sërish protagonist për kuqeblutë ishte Liridon Latifi.
Sulmuesi nga Prishtina shënoi golin e fitores në minutën e 29-të kundër Partizanit. Ish-futbollisti i Skënderbeut realizoi në këtë mënyrë golin e tij të 4-ët deri më tani në kampionat. Kjo duke barazuar edhe kolegët e tij të sulmit, Aralica dhe Da Silva.
Një formë në ngritje kjo e 27-vjeçarit nga java në javë. I ardhur si afrimi më i bujshëm i merkatos së Vllaznisë, Latifi po konfirmon cilësitë dhe klasin e tij. Jo vetëm me golat dhe asistet në sulm, por edhe me sakrificën duke mbrojtur në raste të shumta kur skuadra ka nevojë.
Tashmë Latifi mund të quhet një lider i skuadrës kuqeblu. Patjetër që lojtarë me kualitetin e numrit 7-të janë të rrallë në kampionatin tonë dhe tifozët shkodranë ndihen me fat që një futbollist i tillë është pjesë e Vllaznisë. Ekip me të cilin do përpiqet që të fitojë titullin kampion të vendit.
Endri ÇINARI