Dinamo, e rikthyer me bujë në elitën e futbollit shqiptar, me një riorganizim në çdo sektor të klubit, po kalon një moment kritik në kampionat. Në 5 ndeshjet e fundit ka marrë vetëm 4 pikë, ka pësuar 3 humbje, pra ka marrë një “thes” me gola dhe mban vendin e 7-të, shumë pranë zonës së rënies nga kategoria. Rezultatet janë shumë larg pritshmërive dhe kjo situatë e ka shqetësuar jo pak presidentin Adrian Bardhi, madje e ka alarmuar, siç pohon ai në një intervistë ekskluzive për “Panorama Sport”. Që prej ndeshjes me Tiranën, kreu i klubit dinamovit nuk ka qenë pranë skuadrës për një problem shëndetësor, që tashmë e ka kaluar dhe kërkon të marrë situatën në dorë, duke ndërhyrë në mënyrë urgjente.

Zoti Bardhi, si është gjendja juaj shëndetësore?

Jam mirë tani. Kam kaluar ditë dhe javë të vështira, por tani e kam kaluar këtë situatë. Kam qenë i shkëputur nga skuadra prej disa javësh për arsye shëndetësore.

Çfarë po ndodh me Dinamon?

Është një gjendje alarmi, jam shumë i shqetësuar, sepse nuk e mendoja kurrë se do të arrinim në këtë pikë. Asaj që i druhesha më shumë, karakterit të skuadrës, ka ndodhur. Dinamos i ka munguar karakteri në këto ndeshje dhe ka arritur ato rezultate që ka arritur. Kam kërkuar mbledhje urgjente me stafin e trajnerëve për të kuptuar se çfarë problemi ka. Duhet ndërhyrë menjëherë, sepse Dinamo nuk ka probleme financiare dhe nuk mund të ketë në asnjë mënyrë këto rezultate dhe këtë sjellje në fushë. Nuk e di, është bërë si një ekip babalesh, them unë. Do të luftoj fort që t’ia kthej ngjyrat skuadrës.

Pse ka ardhur kjo situatë sipas jush, çfarë mund të jetë bërë gabim?

Ne do të flasim dhe do të konsultohemi për të bërë zgjidhjen më të mirë për situatën që po kalojmë. Nuk e di, ka krisje në skuadër, kjo është e qartë, nuk luftohet për një qëllim të përbashkët nga të gjithë. Këtë pjesë do ta shohim me kujdes. Ne jemi munduar të formojmë një Dinamo të denjë për Superioren, me lojtarë profesionistë, jo një skuadër si kjo. Mund të kemi gabuar, kanë futur hundët edhe njerëz të tjerë dhe kjo është e pafalshme, ndërkohë që Dinamo ka një president dhe ai jam unë. Kam parë edhe mangësi të tjera në stafin e skuadrës dhe me kalimin e kohës do të mundohemi t’i zgjidhim.