Në kohët që po jetojmë gjithnjë e më shumë po flitet për paranë e re, ndryshe kriptomonedhat. Kjo “shpikje” e re ka përfshirë dhe botën e futbollit. Barcelona pritet të jetë një nga klubet e para që pritet të operojë në këtë fushë të re. Ka qenë presidenti i klubit, Joan Laporta, i cili i ftuar në kongresin botëror të teknologjisë ka lënë të hapur mundësinë e prodhimit të kriptomonedhës me logon e Barcelonës.
Sipas numrit një të Barcelonës një gjë e tillë mund t’u vinte në ndihmë financave të klubit që janë në një gjendje mjaft të vështirë. Deklarata e presidentit të Barcelonës ka ardhur vetëm pak ditë pasi ai kishte refuzuar një marrëveshje sponsorizimi me një kompani kriptomonedhash në vlerën e 70 milionë eurove. Me sa duket, projekti i Laportës ka qenë në fuqi përpara kësaj oferte dhe numri një i klubit katalanas e ka shpallur në këtë kongres.
“Arsyeja përse në kemi refuzuar një ofertë nga një kompani kriptomonedhash si sponsor është se ne jemi duke planifikuar prodhimin e kriptomonedhës sonë. Ne duam të bëjmë gjithçka në klub dhe jam i bindur se i kemi kapacitetet e duhura për t’ia arritur”, ka thënë presidenti i Barcelonës. Zhvillime të tilla te Barcelona sipas Laportës janë e ardhmja e afërt e klubit për të mos thënë e tashmja e katalanasve.
“Bota e biznesit nuk është më ajo e dikurshmja dhe për të konkurruar në treg duhet të zhvillojmë një departament të teknologjisë, zhvillimit dhe kërkimit. Duhet të mendojmë më shumë për të bashkëpunuar me “start up” në universitete dhe qendra të tjera kërkimore. Partnerët tanë janë në dijeni se po flasim për një klub modern që di të përdorë teknologjinë dhe janë gati të bashkëpunojnë me ne”, ka thënë Laporta.
Por më shumë se një risi, për Barcelonën prodhimi i kriptomonedhës me logon e saj është një mundësi ideale për të rimëkëmbur financat e dërrmuara. “Ne kemi një bazë të jashtëzakonshme tifozësh në mbarë botën. Po flasim për afro 300 milionë tifozë dhe hedhja e kriptomonedhës do të ishte një ndihmesë e madhe për financat e klubit. Mund të kisha folur dhe më gjatë, por zhvillimi i kriptomonedhës është diçka sekrete e klubit”, ka thënë Laporta.