Liverpooli do të shpresojë për një natë magjike sonte, në ndeshjen e kthimit ndaj Barcelonës në “Anfield”, për ta përmbysur klubin spanjoll dhe për t’u kualifikuar në finale të Ligës së Kampionëve.
Gjiganti anglez ishte mposhtur 3:0 në ndeshjen e parë në “Camp Nou”, derisa katalonjasit udhëtojnë drejt Anglisë për të ruajtur epërsinë e lartë
Liverpooli do të ketë një mision mjaft të vështirë, por jo edhe të pamundur sonte në ndeshjen e dytë gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve ndaj Barcelonës.
“Të Kuqtë” i presin në shtëpi katalonjasit pas asaj humbjeje 3:0 në “Camp Nou”, derisa shpresojnë për një natë magjike për ta përmbysur epërsinë e lartë të mysafirëve. Klubi anglez nuk pritet të ketë punë të lehtë kur merret parasysh mungesa e sulmuesit Roberto Firmino dhe ajo e egjiptianit Mohamed Salah, i cili e pësoi një lëndim në kokë në sfidën e fundjavës në Premierligë ndaj Newcastle Unitedit.
Ish-sulmuesi i Romës u detyrua që ta lëshojë fushën dhe Jurgen Klopp e ka konfirmuar që ai nuk do të luajë sonte. Ndërkohë, te Barcelona në dyshim është paraqitja e Ousmane Dembeles. Trajneri i Liverpoolit thotë se ekipi i tij do të provojë deri në fund për ta përmbysur rezultatin nga ndeshja e parë. “Qasja? Ne do të provojmë ta fitojmë ndeshjen. Kjo ka kuptim”, ka deklaruar Klopp.
“Ne do të provojmë ta fitojmë ndeshjen. Nëse në ndonjë moment specifik ata na japin mundësinë për të shkuar më tutje në rundin tjetër ne do ta provojmë.
Së bashku me tifozët tanë ka qenë një edicion i gjatë. Ka pak shanse që të bëhet më i gjatë, por këto janë dy ndeshjet e fundit (duke përfshirë edhe atë ndaj Wolverhamptonit në Premierligë) në shtëpi të një edicioni të jashtëzakonshëm. Rezultati në Barcelonë nuk na ndihmoi shumë, të jem i sinqertë. Ne provuam shumë që të shënonim. Ne e kemi atë rezultat dhe duhet të pajtohemi me këtë. Le ta provojmë me gjithçka që kemi”, u shpreh strategu gjerman.
Liga e Kampionëve
Faza gjysmëfinale
E martë ora 21.00
Liverpool – Barcelona (0:3)