Një “Z” e markuar në gjoks, në stilin e vërtetë “Zorro” të Xhonston MekKëlli. Kjo është shenja alegorike që mbartin mes tyre lojtarët e lindur midis viteve 1997 dhe 2012.

Ata i përkasin të ashtuquajturës “Gjenerata Z” dhe përbëjnë një grup futbollistësh të rinj që janë të destinuar t’i bëjnë legjendat aktuale të harrohen dhe të bëhen vetë ata fytyrat e reja standarde të lojës së topkëmbës. Diçka që Barcelona dhe Real Madrid e kanë kuptuar në mënyrë të përsosur. Të dy klubet kanë jetuar kohë të lavdishme me ekipe që do të mbahen mend në historinë e futbollit. Barcelona e 6 trofeve sezonalë me emra si Ksavi, Pujol, Mesi, Pike, Luis Suarez, Iniesta, Alba… Ose Madridi i 5 Champions-eve me Kristiano Ronaldon, Benzemanë, Serxho Ramos, Kasemiron, Kros, e Modriçin. Shumica e këtyre lojtarëve tashmë ekzistojnë vetëm në kujtesë, sepse stafeta i ka kaluar të rinjve. Reali dhe Barça kanë bërë një ndryshim brezash në skuadrat e tyre, duke vënë baste për talentet e rinj.

MBROJTJE E FORTË DHE E SHPEJTË – Të shumtë janë ata që mendojnë se Militao dhe Arauho janë dy qendërmbrojtësit më të mirë në botë sot, përkatësisht 25 dhe 24 vjeç. Pavarësisht moshës së tyre të re, të dy tashmë janë liderët e mbrojtjeve përkatëse. Për brazilianin e Madridit ishte e vështirë të merrte vendin e punës, sepse mbi krye kishte një si Serxho Ramos. Por tani ai është një nga të padiskutueshmit për Ançelotin. Arauho nuk është shumë prapa. Uruguaiani është një makth për sulmuesit për shkak të potencës dhe shpejtësisë së tij.

KLAS, VIZION DHE GOLA ME BOLLËK – Në qendër të kësaj shtylle gjejmë dy nga lojtarët më të vlefshëm në botë, Xhud Bellingam (Real) dhe Pedri (Barcelona). Të dy ende nuk i kanë 20 vjeç. Njëri prej tyre (Pedri) ka qenë “pronar” dhe “zot” i mesfushës së Barçës. Tjetri (Bellingam) zbarkoi në Madrid pasi mahniti të gjithë Evropën me Dortmundin. Dy futbollistë të ndryshëm, por padyshim të klasit botëror.

TË PANDALSHMIT – Nëse flasim për shpejtësinë, shpërthimet dhe driblimin, është e pamundur të mos mendojmë për Dembelenë dhe Viniciusin. “Mosquito” (Dembele) ka pasur uljet dhe ngritjet e tij në Barcelonë si për shkak të dëmtimeve ashtu edhe për shkak të polemikave jashtë fushe. Megjithatë, duket se ka fituar besimin e duhur me Ksavin duke u kthyer sërish ai lojtari që pamë në Gjermani. Vinicius nga ana e tij nuk e pati të lehtë në vitet e para në Madrid. Por shpërthimi dy sezone më parë e ka kthyer atë në një nga yjet e rinj të futbollit botëror. Një fakt që ai e rikonfirmoi sezonin e kaluar me 17 gola dhe 15 asistime. Nuk ka dyshim se shtylla kurrizore e Madridit dhe Barcelonës është më se e sigurt me lojtarët e rinj të “Gjeneratës Z” që premtojnë shumë. E të mos harrojmë se si Reali dhe Barça kanë të paktën 60% të përbërjes së tyre me këtë gjeneratë.