UEFA ka vendosur që të ardhmen e futbollit, të paktën sa i përket ideve për ndryshimin e rregulloreve dhe kompeticioneve, si dhe sugjerime të tjera futbollistike, t’ua besojë atyre që e njohin këtë sport në majë të gishtave. Disa nga emrat më të shquar të futbollit botëror do të bëhen pjesë e Bordit të Futbollit, një paneli të ri që do të nisë punën më 24 prill.

Në krye të tij do të jetë Zvonimir Boban, një person i afërt prej vitesh me Çeferin i cili ka provuar një rol të tillë edhe në FIFA. Ndërsa ata që e drejtojnë janë trajnerë, futbollistë e ish-futbollistë. Të gjithë ata që ndër vite kanë bërë këtë sport më elitarin në botë.

Raportohet se janë 20 emra të konfirmuar për mbledhjen e parë: Zhoze Murinjo, Karlo Ançeloti, Zinedin Zidan, Paolo Maldini, Fabio Kapelo, Havier Zaneti, Luis Figo, Filip Lahm, Ronald Kuman, Gareth Sauthgejt, Rio Ferdinand, Mikael Laudrup, Rafa Benitez, Roberto Martinez, Predrag Mijatoviç, Jurgen Klinsman, Rudi Fëler, Petr Çeh, Huan Mata dhe Robi Kin.

Ata do të diskutojnë në mënyrë periodike kalendarët e UEFA-s, ndryshimet në kompeticionet e klubeve dhe sidomos disa rregulla që kanë filluar të bëhen shqetësuese dhe kërkojnë interpretim, duke filluar nga prekjet e topit me dorë në zonë, apo edhe pozicioni jashtë loje. Pa harruar edhe strategjitë për zhvillimin dhe masivizimin e këtij sporti, ku Europa dhe kompeticionet e saj zënë një rol thelbësor.