Barcelona merr masa për të mbuluar largimin e mundshëm të Ousman Dembele. Sulmuesi francez nuk ka pranuar ende ofertën për rinovim të katalanasve dhe ka dyshime rreth vazhdimit të tij në klub apo jo pas këtij edicioni. Ndaj Barcelona ka filluar të mendojë për të ardhmen pa të dhe ka identifikuar Adama Traore si emrin e duhur.

Mesfushori ofensiv spanjoll po kalon një sezon të komplikuar te Ullvërhempton pasi nuk është më aq vendimtar sa në fillimin e karrierës së tij në Premier Ligë.

Lojtari i rritur në “La Masia” është sipas të përditshmes katalanase “Sport” gati për t’u kthyer në shtëpinë e tij dhe për të veshur fanellën e Barcelonës. Edhe drejtuesit e klubit do të ishin të lumtur pasi e shohin atë si zgjidhjen ideale për sulmin në rast largimi të Dembele.

Raportohet se menaxheri i lojtarit, Horge Mendes, është vënë në lëvizje për të nisur kontaktet mes klubeve në mënyrë që të bëhet gati lëvizja për muajin qershor dhe që Traore të veshë përsëri fanellën e Barcelonës 7 vite pasi ishte larguar nga ky klub.