Nëse ka pasur diçka pozitive nga ana e trajnerit Mirel Josa këtë periudhë nën drejtimin e Vllaznisë, ajo është që nuk ka pasur aspak frikë të aktivizojë djem të rinj për t’u dhënë shansin të tregojnë vlerat e tyre, si edhe të fitojnë eksperiencë.

Surpriza më e madhe është padyshim Rejan Alivoda, i cili është shndërruar në një titullar, me trajnerin Josa, i cili vendosi t’i besojë futbollistit shkodran përpara disa lojtarëve të tjerë.

Ndërkohë, Geralb Smajli është gjithashtu një tjetër futbollist, i cili është përdorur shpesh nga trajneri Josa dhe ka dhënë sinjale pozitive. Sakaq, 19-vjeçari Antonio Delaj ka qenë një nga debutuesit e rinj.

Gjatë këtyre ditëve, por jo vetëm, edhe shumë shpesh herë të tjera, Josa ka grumbulluar të rinj të tjerë, për të parë nëse janë të vlefshëm për ekipin e parë. Padyshim, ndoshta ndër gjërat më të mira që trajneri Mirel Josa ka bërë në drejtimin e tij te Vllaznia.
Maringlen ZHIVANI