Shqipëria mbylli eliminatoret për Botërorin e vitit të ardhshëm me 18 pikë dhe në vendin e tretë. Për këtë ecuri ka folur edhe ish-lojtari i Kombëtares, Bardhyl Jera, në një intervistë ekskluzive për “Panorama Sport”. Ish-futbollist i Vllaznisë e shikon paraqitjen në këto kualifikuese si të suksesshme, por përmend se ka edhe disa problematika që mund të zgjidhen. Ai gjithashtu kritikon mesfushën e Kombëtares, si dhe jep mendimin e tij sa i përket vazhdimësisë së trajnerit Edi Reja në krye të stolit kuqezi.


Z.Jera, si e shikoni këtë fushatë eliminatoresh të Kombëtares, si një dështim apo sukses?

Unë do ta vlerësoja të suksesshme, jo vetëm për faktin që ne morëm 18 pikët, por edhe në një rindërtim. Puna e Edi Rejës është evidente, pavarësisht që çdo punë e mirë ka edhe gabimet e veta. Unë nuk kam ngurruar t’ia them edhe personalisht, sepse kam pasur edhe fatin që ta takoj ballë për ballë, jo me komente apo nëpër studio. Kam diskutuar disa problematika me të, por mund të them që është një etapë e bukur e tij dhe e ekipit kombëtar. Kemi zhvilluar edhe ndeshje jashtëzakonisht të mira, por edhe ndeshje që lenë për të dëshiruar.

Do të veçoja ndeshjen me Anglinë në “Uembli”, e cila është shtëpia ku u shpik futbolli dhe është diçka emblemë, një mit dhe për çdo lojtar që luan në Premier Ligë, pasi ka shumë të tillë që ndoshta nuk u jepet mundësia të luajnë një herë në “Uembli”, për faktin se luhet vetëm Kupa e Mbretëreshës dhe kombëtarja e Anglisë. Shikojmë Kejnin, i cili dha 120% në atë stadium.


Ju e vlerësoni të suksesshme paraqitjen e Kombëtares, por gjithsesi ajo nuk la një shije të mirë. Mos ndoshta për zhgënjimin ndaj Polonisë dhe për ndeshjen e dobët ndaj Anglisë?

Ndeshja me Anglinë ishte një shok për ne. Unë, personalisht, ngaqë kam pasur fatin ta prek atë fushë, e di se sa e vështirë është të luash në “Uembli”. Po ju tregoj sinqerisht, edhe unë kur kam luajtur në 1989, 20 minutat e para nuk e kam kuptuar se ku jam, kështu që e njëjta situatë ka qenë edhe për lojtarët tanë. Pastaj dihet që anglezët janë më të fuqishëm dhe më të përgatitur se ne.

Kjo është absolute, por disfatë të tillë nuk e kam menduar kurrë. Ndoshta patëm edhe fatin e keq me dëmtimet dhe mungesat. Nëse do të ishim të plotë, mund të nxirrnim një ndeshje tjetër, ndërsa një po na mungoi, është si puna e një muri, që po mungoi një tullë, fillon çedon pastaj. Na kapi edhe në ditë të keqe.

Ne jemi mposhtur 5-0 edhe 32 vite më parë, por të gjithë thonë që Shqipëria ishte më dinjitoze. Si e komentoni?
Po, është e vërtetë, kemi qenë më dinjitozë. Në kohën kur unë kam luajtur, rreth 7- 8 vite me ekipin kombëtar. Gjatë gjithë karrierës sime kam luajtur bashkë me Demollarin, Josën, Hodjen, Kushtën, Muçën. Ka qenë një grup lojtarësh dhe ne e njihnim njëri-tjetrin shumë më mirë, kemi qenë të unifikuar.


Ndërsa sot?

Është pak e vështirë, pasi të gjithë luajnë në ekipe të ndryshme. Po e filloj nga porta, ata relativisht kanë performuar mirë. Kemi repartin e mbrojtjes, i cili është pika jonë më e fortë. Reparti më i konsoliduar. Ndërsa mesfusha ka çaluar, sepse nuk kemi një lojtar si tipi i Taulant Xhakës, një lojtar profesionist që jepte shpirtin në fushë, po ashtu edhe Amir Abrashi, një “Pitbull” i ekipit kombëtar që nuk ka luajtur si pasojë e dëmtimeve. Janë dy mungesa, që për arsyet e tyre na kanë dëmtuar disi.


Meqë jemi te lojtarët, po ju pyes për rastin e Armando Brojës. Duket se ka një krisje mes tij dhe trajnerit. A ka pasur një keqmenaxhim?

Reja është një trajner me një eksperiencë të gjatë dhe nuk mendoj se mund të bëjë gabime të momentit. E kam thënë edhe më përpara, është një nga brilantët e Kombëtares, jemi me fat që e kemi për aftësitë që ka. Kam përshtypjen se menaxhimi nga familja e tij lë për të dëshiruar.

Kur e kemi ndjekur për herë të parë, kemi thënë të gjithë që ku doli ky lojtar. Të rritesh në akademinë e Çelsit, do të thotë shumë, është një lojtar që ka brumë, por është edhe një lojtar që duhet të menaxhohet mirë. Edhe nga familja, sepse luan rol shumë të rëndësishëm.

Kemi edhe rastin e Uzunit që në Hungari shkëlqen, por në Kombëtare nuk e gjen dot veten e tij. Si e shpjegoni?
Mendoj që Kombëtarja është diçka tjetër dhe ekipi ku luan është diçka tjetër. Është ana psikologjike e tij që e shoh gjithmonë të frenuar sepse ka pasur disa raste dhe mënyra si del para porte, mundohet ta bëjë veprimin thjesht sa për të kryer detyrën. Nuk është i bindur. E them nga eksperienca, në momentin që je mirë nga ana psikologjike, e çon topin aty ku ti do.


A mungon një lider në Kombëtare kohët e fundit, ndoshta edhe për t’ua zgjuar disi shokëve të ekipit atë ndjesinë e fanellës?

Faktikisht është e vërtetë. Një lider ka shumë përgjegjësi. Në përgjithësi në këtë periudhë kemi pasur lojtarë të mirë dhe të rinj. Sa i përket liderit, ai që mban shiritin duhet të jetë edhe lideri i ekipit. Duhet të japë shembullin e tij pozitiv si fillim, që edhe shokët e tjerë të ecin mbas tij.

Them se një nga lojtarët më të mirë që kemi është Gjimshiti, ka qenë më stabël, më serioz, lojtar që e ka treguar veten në çdo kompeticion ku ka marrë pjesë, sepse të luash në Ligën e Kampioneve dhe të përballesh me kundërshtarë të atij niveli si Ronaldo etj. dhe të tregosh që nuk çalon, ai mund të jetë një lider që mund ta udhëheqë ekipin. Nuk mendoj që mungon lideri, por defekti që ka, është edhe natyra e tij si person, më duket një djalë shumë i tërhequr. Lideri duhet të jetë ndonjëherë edhe prepotent, të drejtojë situatat.


Çfarë mund të bënte më mirë Kombëtarja në këtë edicion?

Episodet janë ato që të kthejnë në katastrofë edhe një ndeshje që mund të luash mirë. Sa i përket takimit me Poloninë, që ishte edhe “thembra e Akilit” për ne, nuk po i marr parasysh ndeshjet me Anglinë apo përballjet me dy ekipet modeste që morëm pikët. Ndeshja me Poloninë duhet të menaxhohej më mirë, një top i humbur kushton shumë, sepse në momentin që ti nuk vepron mirë, ajo të kthehet mbrapsht.


Sa i përket trajnerit Edi Reja, mendoni se duhet të vazhdojë në drejtimin e Shqipërisë?

Mendimi im është që duhet të vazhdojë. Ka bërë një punë shumë të mirë, pavarësisht atyre pak gabimeve, sepse çdokush goditet nga gabimet. Po e përmbledh disi, i vetmi defekt i Rejës mund të kenë qenë në goditjet standarde. Është venë re që ne kemi pësuar në disa ndeshje nga to.

Ndërsa sa i përket modulit të lojës, 3-5-2, personalisht kam pasur mendimin që ndoshta duhet të ndërrohet ky stil, për faktin se me këtë skemë duhet të kesh dy fashot, majtas dhe djathtas, shumë të shpejta dhe të fuqishme, gjë të cilën ne nuk e kemi. Mund të kemi pesë lojtarë qendre që mund të luajnë të deklaruar në mbrojtje. Është mundësia që të luajmë me 4-4-2, sepse i kemi ata lojtarë.