Barcelona luan ndaj Napolit pas gjashtë ditësh një nga ndeshjet më të rëndësishme të sezonit. Ndeshja e parë ka përfunduar në barazim 1-1 dhe katalanasit kualifikohen me barazim pa gola ose me një fitore të tyre. Setien në këtë ndeshje ka shumë probleme. Mesfusha është thuajse e gjitha e padisponueshme.

Arturo Vidal dhe Serxhi Buskets nuk do të jenë të disponueshëm për shkak kartonësh. Dy mesfushorët janë shumë të rëndësishëm për skuadrën dhe stafit teknik do i duhet të gjejë një tjetër zgjidhje. Mendohej një treshe Puxh, De Jong, Artur, por edhe kjo është e pamundur, pasi braziliani është larguar nga skuadra dhe nuk pranon t’i bashkohet.

Ai është i indinjuar për mënyrën sesi klubi e largoi (do të kalojë te Juventus, si këmbim me Miralem Pjanic pa dëshirën e tij) dhe ka vendosur të kërkojë ndërprerjen e kontratës së tij dhe të mos bashkohet me skuadrën, duke e lënë Mesin me shokë mes shumë problemesh përpara një kompeticioni si Champions League. Për këtë çështje ka thyer heshtjen presidenti i Barçës, Bartomeu, i cili tregon prapaskenat me Artur.

“Arthur tregoi mungesë respekti kundrejt kolegëve dhe shokëve të skuadrës. Nuk ka kuptim që një lojtar i tillë të vendosë të përjashtojë veten kur në lojë është një trofe kaq i rëndësishëm. Është e pajustifikueshme dhe plotësisht e pakuptueshme.

Kreu një veprim të padrejtë, për këtë arsye kemi hapur një hetim. Nuk ka asnjë argument që justifikon mungesën e tij. E telefonova dhe më tha: ‘Nuk kthehem, do të qëndroj në Brazil‘. E mori vendimin vetë, askush s’i dha leje“, u shpreh Bartomeu. /vipsport/