Ka pasur shumë debate, me akuza dhe kundër-akuza sidomos ndaj Dinamos dhe drejtuesve të saj, për mënyrën se si po rikthehet klubi i njohur në vend në elitën e futbollit shqiptar. I ftuar në emisionin “E hëna sportive”, drejtori i Dinamos, Ermal Barushi u shpreh: “Jemi të kënaqur me 3 pikëshin. Pas ndeshjes nuk kemi dalë shumë të kënaqur nga loja dhe presidenti nuk ishte i kënaqur. Mbase skuadra e mori lehtë, por nuk më tremb kjo gjë. Kemi bërë një lojë të mirë në Peshkopi dhe donim mos të dilnim pa pikë. Lojtarët nuk kanë presion mbase vetëm Edvan Bakaj ka më shumë eksperiencë, ndërsa të tjerët kanë pak presion që janë në vend të parë. Presioni i historisë së Dinamos nuk ka qenë nga ne.”
“Gjithë historia ka qenë që tifozët e kërkojnë Dinamon në Superligë. Ne e kemi marrë skuadrën para një viti dhe e shpëtuam nga Kategoria, ndërsa këtë sezon jemi favorit për t’u ngjitur. Nuk ka rëndësi për ne nëse jemi në grupin e veriut apo të jugut, por mendoj se Grupi i Veriut është më i fortë se i jugut. Jemi skuadër “Fair Play” që nuk ka marrë asnjë karton të kuq”.
“Tensioni erdhi nga ne? E si mund të shkojë një skuadër nga Tirana të provokojë në Peshkopi. Është çështje e mbyllur dhe tani ne mendojmë vetëm për ndeshjen e radhës pasi të gjitha ekipet janë njësoj për ne. Ai arbitër që gjykoi Burrelin këtë javë që ka ankesa ishte i njëjti gjyqtar që i kanë ndihmuar. Në fund të kampionatit do të fitojë skuadra që e meriton. Kam marrë karton të verdhë në Peshkopi. E gjithë situata ka qenë për të qetësuar skuadrën dhe mos të krijohej konflikt”.
“Deklarata e Mziut për pagat e Dinamos? Ai të shikojë hallin e vet pasi të gjithë e njohin se kush është. Nuk dua t’i kthehem asaj historie dhe Dinamo nuk ka asnjë llojë problemi dhe Dinamo është si çdo klub tjetër në Shqipër. Ka njerëz të interesuar që duan të investojnë te Dinamo duke parë që është një klub i madh”, – tha administrator i bluve, Ermal Barushi.







