Basania ka marrë ditën e djeshme një fitore me shumë vlerë, jo vetëm në aspektin e pikëve por edhe atë të tregimit të forcës së saj sepse ka mundur njërin prej ekipeve më të mira të kampionati- Luzin. Sfida e luajtur në fushën sportive të Bushati është mbyllur në shifrat 3-2 për vendasit.

Pas ndeshjes, në një prononcim të dhënë për gazetën “Shkodra Sport” zëvendëstrajneri i këtij ekipi, Erjon Mani është shprehur shumë i kënaqur për lojën e ekipit dhe mbi të gjitha për fitoren e marrë.

“E kishim përgatitur ndeshjen ashtu si duhet dhe ndonëse terreni ishte i vështirë ia dolëm me sukses. Avantazhi që siguruam në fundin e pjesës së parë na dha mundësinë ta administronim si duhet rezultatin, ndonëse kundërshtari u hodh me shumë forca në sulm.

Megjithatë ne ishim përgatitur për çdo gjë dhe mendoj se morëm një fitore mëse të merituar dhe në këtë takim skuadra tregoi karakter. Ndoshta edhe fati ishte me ne në këtë ndeshje, me atë 11-metërsh të pritur nga portieri ynë. Ndoshta sulmuesit tanë duhej të ishin pak më të kujdesshëm për ta mbyllur më shpejt ndeshjen, por gjithsesi emocionet që të jep futbolli janë shumë të bukura.

Mendoj se edhe paraqitja e mirë në ndeshjen e Kupës ndaj Skënderbeut na ka motivuar edhe më tepër dhe këtë herë ndaj Luzit u treguam në lartësinë e duhur dhe morëm një fitore me shumë vlerë. Tashmë duhet të nisim të mendojmë për sfidën e rradhës ndaj Adriatikut ku padiskutim që objektiv do të jetë sërish vetëm fitorja”- është shprehur numri 2 i pankinës së Basanias.(www.shkodrasport.com)