Dëmtimet që pësuan futbollistët shkodranë në takimin e kupës me Partizanin, e kanë rënduar situatën te Vllaznia para transfertës së Laçit. Megjithatë, nga burime të sigurta pranë klubit kuqeblu bëhet e ditur se vetëm kapiteni Elvin Beqiri nuk do të jetë i gatshëm. Beqiri ka thyer gishtin e këmbës. Por lajmi i mirë për trajnerin Canaj është se sulmuesi Bushiç do të jetë i gatshëm për këtë përballje.

Ndërsa dy nga lojtarët që u dëmtuan me Partizanin, të rinjtë Kruja e Bardulla, po stërviten rregullisht dhe do të jenë të gatshëm. Nisur nga objektivat që ka Vllaznia në ndeshjen me Laçin, me shumë gjasa Canaj do të besojë te lojtarët që sollën kualifikimin në Kupën e Shqipërisë në ndeshjen e fundit me Partizanin. Për sa i përket portës nuk do të ketë dilemë, pasi Vuajdinoviç rikthehet nga pezullimi. Në mbrojtje duket se katërshja Gocaj nga e djathta, Kraja e Semina në qendër dhe Baci nga e majta kanë krijuar stabilitet në mungesë të kapitenit Beqiri. Në mesin e fushës, ku edhe konkurrenca është më e madhe, mësohet se treshja e qendrës do të përbëhet nga Sykaj, i cili në rolin e shkatërruesit ka gjetur plotësisht vetveten. Përkrah tij do të jenë edhe Beqiri dhe pak para tyre do të jetë edhe Bardulla. Në krahë ka një konkurrencë mes të riut Kruja dhe mesfushorit me shumë eksperiencë, Shtubina. Hajdari mbetet një tjetër emër që po jep shumë për ekipin, kështu që me Laçin pritet të jetë në të majtë të mesfushës. Sa i përket Bushiçit, tekniku pret që ai të jetë i gatshëm, në mënyrë që të jetë në majë të sulmit. Nëse një gjë e tillë nuk ndodh, atëherë mund të ketë një zhvendosje të Hajdarit, duke ia lënë vendin Shtubinës ose Krujës.

Admir Uruçi