Vllaznia për femra nuk ka mundur dot të sigurojë një vend në finalen e nesërme të kupës.Ajo është mundur me rezultatin 83-89 nga Flamurtari. Vendaset e Vllaznisë të cilat ndonëse shumë të reja në moshë, kanë arritur të rezistojnë jo pak në fushë madje nëse do të kishin qenë më të kujdesshme, mund të kishin shkaktuar edhe ndonjë suprizë. Vajzat e drejtuara nga trajneri Rasha në fakt e kanë fituar periodën e parë me rezultatin 22-19 dhe kanë udhëhequr edhe në periodën e dytë por më pas, Flamurtari ka shfrytëzuar përvojën e lojtareve të saj duke e fituar atë 26-19 dhe duke kthyer rezultatin. Tek vlonjatet dallohet në veçanti Zykaj e cila tregoi një formë shumë të mirë në këtë ndeshje. Flamurtari në dy periodat e fundit ka kontrolluar avantazhin dhe në fund të takimit është fiksuar rezultati 89-83 duke siguruar kështu finalen ndaj ekipit të Tiranës që ka mundur Apoloninë në gjysmëfinale me rezultatin 81-73. Kjo ndeshje do të luhet pasditen e nesërme në pallatin e sportit “Qazim Dervishi” në orën 16.00 dhe dy orë më vonë do jetë finalja e meshkujve, Vllaznia- Tirana. Në mes këtyre dy ndeshjeve, Federata Shqiptare e Basketbollit ka vendosur të bëjë edhe nderimin e disa prej figurave të shquara të basketbollit shkodran në vite. Kjo ceremoni do ta pasurojë edhe më shumë atmosferën në pallatin e sportit kur siç dihet, po gjatë këtyre finaleve do të zhvillohet edhe ceremonia e shpalljes së 10 sportistëve më të mirë të klubit Vllaznia për vitin 2013.
Flamurtari- Vllaznia 89-83
(19-22, 26-19, 27-21, 17-21)
Flamurtari: Myrto, Zykaj, Limaj, Rrapaj, Elmazi, Çakiçi, Plasa, Hysaj, Kasaj, Kostallari. Tr: Viron Toska Vllaznia: Çoçja, I. Dashja, Muka, Mustafa, Basha, Zoga, Prela, A. Dashja, Berrania, Hasanllari, Juka, Ndou. Tr: Rajmond Rasha. Gjyqtarë: E. Koçi, G. Hoxha, E. Allaraj
Gjergj KOLA