Takimi me Partizanin ka qenë i mundimshëm për disa prej lojtarëve shkodranë. Kjo nuk ka pasur të bëjë me lodhjen që kanë sjellë 120 minutat, por për faktin se disa nga kuqeblutë janë dëmtuar në këtë përballje. Sulmuesi kryesor i kuqebluve dhe një nga pikat më të forta të kësaj skuadre, Tomislav Bushiç, është detyruar që të lërë takimin në mesin e pjesës së parë. Ai ka ndier përsëri dëmtimin në kofshën e këmbës së majtë, njëlloj si dy javë më parë po me Partizanin për Kupë. Ky shqetësim mund të rezultojë fatal për këtë lojtar, që mund të mos jetë i gatshëm për takimin me Laçin, i fundit për këtë vit kalendarik.

Mungesat Shqetësime për shkak të dëmtimit ka shfaqur edhe Kruja. Mësohet se ai ka thyer para takimit me Partizanin një prej gishtave të këmbës dhe kjo ka bërë që Kruja të jetë në tribunë në përballjen me Partizanin. Sakaq, mësohet se mesfushori mund të jetë në tribunë edhe në përballjen me Laçin. Mbetet në “pit-stop” edhe kapiteni Beqiri, i cili nuk është rikuperuar ende. Megjithatë, tekniku Canaj shpreson që disa prej lojtarëve me probleme të jenë të gatshëm për takimin e fundit për këtë vit, atë të së dielës me Laçin.
Kualifikimi Takimi me Partizanin ka mbartur shumë emocione te lojtarët. Vetë situata në të cilën gjendej Vllaznia, kishte krijuar një klimë jo pozitive në skuadër. Prandaj kualifikimi në këtë përballje ka bërë që të gjithë lojtarët pa përjashtim të ndiheshim tepër të çliruar nga ankthi që i kishte mbërthyer. “Ishte një takim emocional. Kishim shumë akth si asnjëherë tjetër. Tani ndihemi më të lehtësuar, pasi arritëm t’ia dalim me sukses”, janë shprehur disa nga kuqeblutë pas takimit. Një sezon më parë, Vllaznia ishte eliminuar po në këtë tur të Kupës, madje nga një skuadër pa asnjë pretendim, siç ishte skuadra e Shkumbinit. Megjithatë kësaj here, pavarësisht se përballë kanë pasur një skuadër të ardhur nga Kategoria e Parë, duhet thënë se Partizani është momentalisht në vendin e dytë në tabelën e klasifikimit, ndaj edhe ky kualifikim shihet si një gjysmëarritje, në rrugën drejt finales së këtij kompeticioni.

Admir URUÇI