“Basania Footbal Club ka festuar dje një vjetorin e saj të krijimit. Festa filloi në orën 18:00 në fushën e futbollit në Bushat ku të pranishëm ishin trajnerët e ekipit të Basanias, drejtori teknik i Basanias Ditmar Jubica, presidenti Ermir Shimaj, kryetari i bashkisë Vau Dejës Mark Babani, të rinjtë që janë tashmë prej një viti pjesë e këtij ekipi së bashku me prindërit e shumë të pranishëm të tjerë.
Festa u hap me fjalimin e presidentit të kësaj akademie, z. Ermir Shimaj ku tha se “Fëmijët që edukohen sot, do të jenë patjetër qytetarët në të denjë të shoqërisë nesër”.
Ai uroi ekipin për arritje e rezultate të mira në të ardhmen dhe tha se “Basania Footbal Club sapo ka filluar të shkruajë historinë e saj”.
Për formimin e këtij ekipi që në zanafillë duket kaq i fortë, ka punuar shumë edhe drejtori teknik, Ditmar Jubica ku tha se ai bashkë me stafin bëjnë më të mirën për fëmijët por qe edhe marrin më të mirën nga ato.
Jubica në emër të klubit të Basanias kërkoi të bashkëpunojë me akademi të tjera duke çuar kështu angazhimin e marrë përsipër në një nivel më të lartë. I ftuar në festën e ditëlindjes së “Basania Footbal Club” ishte edhe kryetari i Bashkisë Vau Dejës, z. Mark Babani i cili e ka mbështetur këtë ekip gjatë krijimit të tij.
Kryebashkiaku tha se “Futbolli i ndihmon fëmijët të përballojnë sfidat e jetës e që sporti është fusha e vetme që të edukon të pranosh e ta thuash se ‘humba’ apo ‘fitova”. Babani tha se do i përkushtohemi më shumë këtij ekipi duke filluar me projektin e një stadiumi në shërbim të të rinjve të zonës.
Urimit të festës së ditëlindjes së ekipit ju bashkua edhe shefi i departamentit të edukimit fizik në Universitetin “Luigj Gurakuqi”, Gjulio Zefi i cili e krahasoi Basanian me një fëmijë që lind i shëndetshëm e që sot po feston ditëlindjen e tij të parë. Zefi tha se kur punohet mirë edhe rezultati do të jetë pozitiv.
Në mbyllje të festës para të pranishëmve u shfaqën edhe disa nga momentet më të bukura nga aktivitetet që këto të rinj kanë zhvilluar së bashku me trajnerët ku të gjitha këto shënojnë një vit “Basania Footbal Club”.
Dajana GEGAJ