Nehar Sadiki mund të quhet afrimi i radhës tek Erzeni. Në fakt, deri pak ditë më parë, mbrojtësi nga Kumanova ka qenë pjesë e Egnatias, aty ku dhe u prezantua në muajin korrik, duke firmosur për dy vite me rrogozhinasit.

)

Por, “Panorama Sport” mëson se 24-vjeçari ka prishur kontratën me mirëkuptim me Egnatian dhe menjëherë ka rënë dakord për të vijuar karrierën tek Erzeni. Të shtunën ai ishte pjesë e formacionit shijakas në qendër të mbrojtjes, duke luajtur për 90 minuta. Sadiki është aktivizuar më parë në Maqedoni me ekipe si Borec dhe Rabotniçki.

KAPITENI – Në testin e zhvilluar ndaj Laçit në tribunë u vu re edhe prania e ish-kapitenit Rejnaldo Troplini. Pas polemikave për largimin e tij, me shumë mundësi klubi dhe lojtari do të gjejnë gjuhën e përbashkët, duke bërë që mesfushori shijakas të vazhdojë të luajë për fanellën e Erzenit.

Për momentin nuk ka asgjë zyrtare, pasi drejtuesit nuk janë prononcuar as kur kapiteni publikoi mesazhin e largimit në rrjetet sociale dhe as tani që po përflitet për rikthimin e Troplinit.

Sot në seancën e parë anti-Vllaznia do të mësohet më shumë.