Elmir Lekaj është një nga ata futbollistë shkodranë që pritet të bëjë një lëvizje në merkato. Mbrojtësi që në sezonin e fundit u aktivizua në Kosovë tek Ulpijana, tashmë po përgatit një aventurë të re. Për “Shkodra Sport” , në një intervistë ai na zbulon disa gjëra interesante në lidhje me të ardhmen e tij. Ku duket se do ketë një lëvizje surprizë.

-Çfarë po bën Lekaj në këto ditë verore?

Pavarësisht se ende nuk kam gjetur ekipin ku do vijoj karrierën, stërvitja për mua nuk ka ndaluar. Jam stërvitur në mënyrë individuale, por tashmë edhe me ekipin u-21 të Vllaznisë. Fakt që më ka ndihmuar akoma më tepër, sepse të stërvitesh me grupin është diçka tjetër nga ajo individuale.


-Do ketë një rikthim tek Vllaznia me këtë që po thoni?

Jo, për momentin nuk ka asgjë tek Vllaznia. Thjesht dua të falenderoj të gjithë që më kanë dhënë mundësinë të stërvitem me skuadrën e 21-vjeçarëve. Veçanërisht profesor Elvis Plorin, por edhe zëvendës trajnerin, Ergi Borshi. Të dy më kanë ndihmuar shumë në këtë periudhë.

-Po ku do e shohim Elmirin në sezonin e ri?

Këtu ende nuk kam diçka konkrete, pavarësisht se drejt meje ka interes nga klube në Superligë apo edhe Kategorinë e Parë, si në Shqipëri ashtu edhe në Kosovë. Por mund të ketë një lëvizje që ndoshta nuk e imagjinoja më parë.


-Dhe çfarë do thoni me “nuk e imagjinoja” më parë?

Po pres vizën për në SHBA. Kam një opsion atje për të luajtur në ligën e dytë amerikane. Por problemi është se në Amerikë sezoni është në aktivitet e sipër. Dhe gjithçka mund të nisë nga janari, për të nisur sezonin e ri në SHBA, pra sezonin e rregullt kalendarik.

-Po deri në janar?

Them se do jem pjesë e një skuadre në Shqipëri. Ku mund të zhvilloj një gjysmë sezoni ose edhe sezon të plotë. Gjithçka duke parë si mund të jetë ecuria e edicionit deri në dimër.
Endri ÇINARI