Ajo që është premtuar prej kohësh nga Bashkia Shkodër duket se më në fund ka filluar të marrë jetë. Institucioni i pushtetit lokal ka ndër mend të nxjerrë në shitje aksionet e shoqërisa aksionare “KF Vllaznia sh.a”. Në një dokument të publikuar nga Open Data dhe që publikohet nga “Tirana Today”, thuhet se Bashkia e Shkodrës, zotëron të gjitha aksionet e klubit dhe kërkon ta shesë atë.

Dokumenti i cili mban datën 16 nëntor 2017, ka hapur një prokurorim për “Vlerësim të aseteve dhe përgatitjen e dokumentacionit për shitjen me ankand të aksioneve të Bashkisë Shkodër të Klubit të Futbollit Vllaznia”. Personat fizikë dhe juridikë të interesuar për këtë gjë, do të kenë kohë deri më 29 nëntor për të paraqitur dokumentacionin dhe për t’u shpallur fitues në këtë tender që ka një vlerë prej 833,333 lekë. Firma që do të shpallet fituese, do të ketë në dispozicion 30 ditë kalendarike për të bërë një vlerësim të tillë. Në dokumentin e Bashkisë Shkodër thuhet se është e nevojshme që KF. Vllaznisë sh.a, si një klub me kërkesa të mëdha financiare, t’i krijohet mundesia e nje administrimi më të përshtatshëm nëpërmjet privatizimit te tij. “Privatizimi i klubit është një domosdoshmëri për ta rikthyer këtë klub kryesues në tabelën e renditjes. Gjithashtu dhe tifozeria shkodrane mirepritet një proces të tillë privatizimi, si një potencial për të bashkuar më shumë burime financiare, menaxheriale e teknike në dobi të skuadrës së zemrës e cila i ka dhuruar emocione dhe ato e kanë duartrokitur me breza”,- thotë bashkia në dokumentat e saj.

© shkodrasport.com